Projekti pilot i rojeve të plazhit

20/08/2014 00:00

Këtë vit në disa plazhe të vendit u vendosen rojet bregdetare, një grup të rinjsh vullnetarë që u angazhuan në një projekt pilot të Agjencisë së Menaxhimit të Bregdetit.

“Agjencia Kombëtare e Bregdetit që në fillim të sezonit duke parë mungesën e theksuar në vite të ruajtjes dhe mbrojtjes së pushuesve në vijën bregdetare ndërmori një nismë për pajisjen e disa plazheve pilot me roje bregdetare dhe kulla. Dua të theksoj se atje ku Agjencia Kombëtare është prezente me këtë projekt pilot, në Rrashbull, Durrës, Sarandë, Drimadhes dhe Golem, djemtë dhe vajzat e trajnuara kanë qenë dhe janë në krye të detyrës duke siguruar pushuesit në plazhe”, thotë kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.

Vetëm dy ditë më parë nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe forcat ushtarake u shpëtuan tre persona dhe një 5-vjeçar që rrezikonin mbytjen në plazhin e Borshit.

“Vija bregdetare shqiptare është shumë e madhe dhe është e pamundur që të ruhet vetëm me një projekt pilot. A kemi kapacitet për të ruajtur gjithë vijën bregdetare? Mendoj se është jashtë realitetit që ne të pretendojmë se e gjithë vija bregdetare është e ruajtur nga rojet bregdetare dhe kullat. Mendoj se është shumë pak për atë që nevojitet, por është shumë për atë që ka ndodhur në këto 23 vite”, shton Tare.

Një apo dy kulla në plazhet e mëdha si ai i Durrësit, Rrashbullit apo Dhërmiut janë të pamjaftueshme. Është e pamundur që e gjithë vija bregdetare të ruhet me pak mjete dhe me pak forca që janë në dispozicion.

Pas kësaj përvoje Agjencia e Bregdetit vitin e ardhshëm do shtrijë këtë shërbim në pjesën më të madhe të plazheve.

Auron Tare sqaron se siguria dhe rojet bregdetare janë përgjegjësi e pushtetit vendor, përcaktuar me një vendim të qeverisë.

“Është një vendim i cili deri më sot shumë pak është zbatuar nga pushteti lokal dhe bizneset që marrin me qira hapësira publike. Ngjarjet që kanë ndodhur muajin e fundit tregojnë se aty ku bashkitë dhe komunat nuk janë përgatitur, nuk kanë marrë masa për ruajtjen e pushuesve ka edhe ngjarje të rënda. Të paktën në zonat ku Agjencia e Bregdetit së bashku me forcat e armatosura ka operuar, fatalitetet janë shumë minimale dhe efiçenca jonë maksimale”, sqaron Tare.

Gjatë këtij sezoni janë regjistruar 6 raste mbytjesh në Durrës, 3 në Shëngjin dhe një në Divjakë, ndërsa numri i personave që u shpëtuan është në disa dhjetra.

Siguria e plazheve në Sarandë
Policia monitoron gjithë bregun e detit

Policia ka ngritur këtë verë dy stacione të reja provizore në Borsh dhe Ksamil, përveç atij të Sarandës, të përforcuara me patrulla të lëvizshme këmbësore të motoruara dhe me biçikleta për të mbajtur në mbikëqyrje vijën bregdetare.

Në këtë hapësirë këtë verë kanë munguar aksidentet apo mbytjet në det, por rojet bregdetare thonë se situata është mjaft e vështirë për t’u menaxhuar. Në qytetin e Sarandës, roje e plazhit është një rekordmen noti që deri më tani ka mbajtur të sigurt jetën e pushuesve.

“Në këtë pikë ka patur një situatë të vështirë. Personit që ishte në rrezik, për shkak të sëmundjes së epilepsisë, i dhash ndihmën dhe bashkë me ndihmën e një mjeku e çuam në spital. Aty u konstatua se personi më tepër u rëndua nga vapa dhe dielli i fortë i asaj dite”, tregon Shpëtim Kote.

Ai thotë se më problem janë fëmijët dhe të moshuarit. “Mjetet e ndihmës së shpejtë nuk hyjnë në punë. Ato shërbejnë kur njerëzit mund të plagosen, por për goditje në zëmër e probleme të tjera shëndetësore nuk ka”, thotë Kote.

Ndërkaq, kreu i komisariatit të Sarandës, kryekomisar Arjanit Arapi thotë se shtrirja e patrullave në të gjithë këtë gjatësi bën që ndihma e shpejtë të gjendet jo më larg se 200 metra prej zonave të frekuentuara nga pushuesit. Në 7 apo 8 raste policia ka shpëtuar nga mbytja persona në det.

Ndërkohë, tri skafe minitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën në det nga Borshi në Ksamil. Gjatë këtij muaji, që shënon edhe kulmin e sezonit, policia ka sekuestruar tre motorë uji që kishin shkelur rregullat e lundrimit, si dhe ka proçeduar në rrugë administrative disa dhjetëra të tjerë. 

Top Channel