Ylli Manjani nënkryetar i LSI-së e quan projektin e ndërtimit të një kompleksi pallatesh në afërsi të Digës së Liqenit në Tiranë, një skandal shumëdimensional me firmën dhe bekimin e kreut të Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha.

“Ai kompleks atje që ngjan me një qytet të ri, është një skandal juridik, është një korrupsion politik dhe një katastrofë urbane e shoqëruar nga një katastrofë mjedisore gjithashtu. Duhet ndaluar me çdo kusht. Është një çmenduri që një kryetar bashkie që erdhi me premtimin për të ndaluar betonizimin…është e pafalshme dhe e patolerueshme deklarata e Bashkisë që duke prerë pemë dhe duke shtuar beton shtohet gjelbërimi!”, thotë Manjani.

Gjatë një interviste për Top Channel Manjani deklaron se mazhoranca qeverisëse është e vendosur ta ndalojë këtë projekt.

“Me të gjitha mjetet ligjore do të ndalohet. Duhet ndaluar se s’bën! Nuk mund t’u zëmë frymën njerëzve. Nuk ka asnjë kriter urbanistik ai lloj ndërtimi. Është korrupsion politik sepse po bëhet nga klientë të pushtetit, janë klientët e Bashkisë së Tiranës që nuk mund të pranohet. Kjo mazhorancë ka dëshmuar se ka vullnet për ta pastruar territorin, për ta mbrojtur territorin nga katastrofat urbane dhe do ta bëjë këtë punë. Ditën që do ta lërë këtë punë, kjo mazhorancë nuk duhet të jetë në pushtet”, shton Manjani.

Top Channel