Hidraulikë në vend të juristëve?

20/08/2014 00:00

Arber Zaimi – “Lëre filozofinë, sociologjinë, ekonominë apo juridikun! Ky vend nuk ka mekanikë, nuk ka hidraulikë, nuk ka inxhinierë.

Ti duhet të bëhesh hidraulik. Se kur kërkoj unë hidraulik, nuk gjej dot hidraulik. Gjithë ky qytet nuk ka hidraulikë. Na u mbush vendi me historianë, me gjuhëtarë, me filozofë, juristë dhe ekonomistë që punojnë si kamerierë. Neve na duhen hidra …”

Nuk ndodh rrallë të dëgjosh shfryrje të tilla, sidomos midis atyre të shtresës së mesme, të cilët e pozicionojnë veten në qendër të spektrit politik. Të lodhur prej zhgjëndrrës neoliberale, sipas së cilës arsimi duhet të rregullohej nga kërkesë-oferta dhe nga informacionet që përcjell tregu, centristët po kërkojnë një zgjidhje. E si zakonisht atë zgjidhje e stisin mbi parakonceptet e tyre.

Shqetësimi se dhjetëra mijë të rinj kanë studiuar ndonjë degë prej atyre që quhen gjerësisht shkenca shoqërore / humane dhe megjithatë përfundojnë të papunë apo punojnë si kamerierë / call center-s është shqetësim i drejtë. Por të gjesh zgjidhje për këtë shqetësim thjesht duke ndryshuar profilin arsimor të kamerierit, është e kotë. E çka do të ndryshojë nëse pas pesë vjetësh do t’i kemi kamerierët me profil të shkencave ekzakte apo inxhinierike?

Një i ri, kur zgjedh se ç’shkollim do të ndjekë, përgjithësisht duhet të marrë parasysh tri faktorë: dhuntitë e veta, pasionet e veta, si dhe mundësinë për punësim afatgjatë në atë sektor. Kuptohet, nuk ndodh kështu në atë botëvështrimin neoliberal që synoi katandisjen e diplomës në një dokument që thjesht tregon se edhe dikush ekziston (ose edhe dikush është askush) – praktikisht si një lloj letërnjoftimi.

Por meqë botëvështrimi neoliberal dalëngadalë do t’i përkasë të shkuarës, si një nga utopitë e dështuara të shekullit XX, jemi të detyruar të shohim përtej tij.

Nuk është e vërtetë se ky vend nuk ka hidraulikë, marangozë, mekanikë etj. Sigurisht që ka dhe sa herë që ka punë për ta, ata i përgjigjen punës. Pra ajo çka mungon këtu nuk janë disa “zanatçinj” thuajse artizanë që do të plotësonin kërkesat dhe nevojat e pafundme që ka një familje ideale borgjeze. Po ashtu, nuk është se s’kemi inxhinierë e mjekë, siç lihet të kuptohet nga deklamimet si ai i mësipërmi. Por këta mjekë e inxhinierë apo profesionistë të tjerë, nuk gjejnë vend pune këtu te ne. Detyrohen ose të emigrojnë ose të heqin dorë nga profesioni i tyre. Në rastin e parë, jo rrallë ata mbërrijnë në sukses – edhe pse u duhet të japin disa provime për të ekuivalentuar diplomat. Midis shumë rasteve që njoh, më vjen ndërmend një inxhinier nafte nga Shqipëria, që pas një karriere në industrinë e naftës shqiptare (para se ajo të shok-terapizohej, e pastaj të shitej te Rezar Taçi e më vonë tek azerbajxhanasit), emigroi në Kanada, ku tashmë është drejtor i zhvillimit teknologjik në një prej kompanive më të mëdha kanadeze të hidrokarbureve.

Pra, zanatçinj e profesionistë paskemi. Edhe shembuj suksesi që kanë studiuar në shkollat tona, ka. Punë nuk ka, dhe ky është problemi i vërtetë. Lloji i ekonomisë që është ndërtuar këndejpari është i tillë. Janë shkatërruar industritë dhe vendprodhimet, që t’u ulet vlera e që më pas të privatizohen lirë. Jo rrallë pas privatizimit, pavarësisht detyrimeve kontraktuale për investime apo rinovime, resurset prodhuese janë shkatërruar tërësisht dhe u është ndërruar destinacioni. Administrata shtetërore është bërë punësuesi më i madh dhe është kthyer në një lopë të sëmurë që stërmilet prej klaneve politike që bëjnë rotacion.

Shteti neoliberal (ai i mëparshmi, që ngadalë por me hap të sigurt po merr fund), thoshte: s’kam punë unë të planifikoj ç’do të ndodhë me punësimin. Tregu e zgjidh këtë punë, unë jam spektator, e në rastin më të keq arbitër, por vetëm nga halli. Kjo pruri stërmbushjen e stafeve të respektuara të restoranteve e lokaleve me shërbyes, kamerierë e pastrues me “juridik”.

Shteti që propozohet nga centristët thotë: unë do të ndërhyj. Kjo është mirë. Po si ndërhyn? Ndërhyn duke vendosur se duhen hidraulikë, marangozë, zdrukthëtarë…

Në alternativën e saj qeverisëse, Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron universitetin si një bashkësi të studiuesve dhe të studentëve, bashkësi e përkushtuar ndaj dijes, e cila nuk duhet as të banalizohet prej “sinjaleve të tregut”, por as nuk duhet të programohet për të riprodhuar konceptet e shtetit apo pushtetit. Universiteti duhet të jetë i lirë dhe universal, sepse dija s’mund të jetë ndryshe.

Por, po në atë alternativë, ky subjekt flet për lidhjen e edukimit me ekonominë. Ama nuk e nis nga çatia këtë konstrukt, por nga themeli. Lidhja e edukimit me ekonominë bëhet vetëm e vetëm, pasi ekonomia të fillojë të marrë një formë, sipas një vizioni të caktuar, siç ka ndodhur në të gjitha vendet e zhvilluara të globit në periudhën kur ato kanë fituar e kanë konsoliduar avantazhet e tyre krahasuese.

Në momentin që qeveria do të paraqiste një strategji afatgjatë për zhvillimin e një sektori, fjala vjen agroindustrisë (duke detajuar pastaj specifikat), atëherë pritshmëritë për vende pune në këtë sektor do të rriteshin. Nëse kjo strategji, përmes politikave proteksioniste sektoriale, përmes nxitjes dhe kanalizimit të kapitalit (investitorëve) në atë sektor, përmes synimit të krijimit të avantazhit krahasues në rajon etj., do të fillojë të japë shenjat e para, menjëherë fakultetet e inxhinieringut agrar do të merrnin aplikime më të forta prej studentëve potencialë. Po e njëjta gjë do të ndodhte nëse do të vendosej te sektorët e zhvillimit strategjik, fjala vjen ndonjë sektor i përpunimit minerar. Apo ndonjë sektor i shëndetësisë etj.

Pra, fillohet prej (ri)politizimit strategjik të ekonomisë; prej krijimit të prodhimit e më pas të vendeve të punës; e këto më pas formësojnë e mbrujnë vazhdimisht shoqëri, e cila ndërton vazhdimisht një universitet, sepse ka nevojë për të. Jo anasjelltas, prej dëshirës abstrakte për të pasur përreth më shumë hidraulikë sesa juristë – dëshirë e cila diku-diku ngjan edhe me përjashtimin e atyre që duhet të jenë të destinuar për të qenë punëtorë (qoftë dhe profesionistë) prej sferës së filozofisë, humaniteteve, arteve etj., të cilat na mbeten si një farë zeje eklektike në Olimp. Një pikëvështrim i tillë është propozuar dikur dhe nga ministri fashist i Kulturës në Itali, filozofi Giovanni Gentile. Asokohe ai e reformoi arsimin në dy degë, atë ekzakte dhe atë filozofike. Tek e para shkonte shumica, e destinuar për punën, e tek e dyta pakica e destinuar për pushtetin. Por një pikëvështrim i tillë është i papranueshëm, është fashist.

E sa u përket fakulteteve, po të liheshin vërtet të ishin ishuj të dijes në polis, problemi i banalizimit të diplomave do të zhdukej. Sepse këtu ka nevojë për juristë e ekonomistë, filozofë e poetë jo më pak se ç’ka nevojë për inxhinierë e matematikanë. I njëjti arsyetim kritik do t’u përshtatej edhe shkollave profesionale e teknike, të cilat po paraqiten si zgjidhje ndaj dështimit të supozuar të gjimnazit të përgjithshëm. Nuk janë teknikët ata të cilët i krijojnë vendet e punës, por janë vendet e punës ato të cilat krijojnë teknikët edhe më shumë se kaq. Ndërsa gjimnazi i përgjithshëm duhet të kthehet aty ku duhet, te synimi i vet fisnik për të prodhuar qytetarin. Mosmbërritja e këtij synimi është dështimi i vërtetë i gjimnazit, dështim i cili nuk mund të mbulohet duke zëvendësuar qytetarin e pabërë me teknikun (që në kushte të ngjashme do të dalë gjithashtu i pabërë).

Në fund, mesazhi për pushtetarët centristë do të ishte: mos u rrekni të gjeni forma të reja të arsimit për t’iu përshtatur ekonomisë neoklasike, e cila u dashka ruajtur me çdo kusht, por konsolidoni arsimin klasik që duhet ruajtur me çdo kusht dhe përpiquni të gjeni qasje të reja për ekonominë dhe politikën!

Top Channel