As mustaqet nuk janë krejt pa faj

20/08/2014 00:00

Fadil Lepaja – “Estekfurullah”, gati klitha me vete, kur pashë një koment në profilin tim në Facebook se unë po i mbroja “mjekrat”!

Gjithsesi, këtë merreni me sarkazëm, se kjo shprehje nuk është aspak në fjalorin tim të përditshëm. E keni përjetuar gjithsesi atë ndjenjën e çudisë kur përballeni me një akuzë për diçka krejtësisht kundër pikëpamjeve apo shijes tuaj!

Por, kush dëgjon në mes të kësaj histerie të cilën e krijoi “shoku” shtet, kundër gjithçkaje “të leshtë” me origjinë orientale. Qoftë po të jenë edhe qilima fluturues. Kur jemi te “leshi”, a janë fajtore mjekrat?

Po t’i kthehemi historisë, duket të jetë bërë një luftë e ashpër në mes të mjekrave, mustaqeve dhe atyre pa “lesh”! Por, historia na mëson se as mustaqet nuk ishin krejt të pafajshme. Pra, njihen shumë lloje mustaqesh, të cilat ishin pjesa kryesore e identitetit vizual të diktatorëve të mëdhenj.

Po, përse pikërisht dyzet “mjekra” u arrestuan nga Policia e Kosovës? Përse jo 41? Apo 35?

Mediat (pro)qeveritare, po përflasin përrallën e moçme arabe për Ali Babën dhe dyzet hajdutët. Nejse “Ali Baba” ende nuk po dihet se kush është, por “Ai” është shpallur në kërkim dhe fare lehtë mund të jetë njëri nga ata imamët kot, të cilët po përfliten publikisht se do të arrestohen së shpejti. Të dyshuar janë imamët, të cilët në rrjete sociale i plasuan ligjëratat e tyre, të cilat po klikohen me të madhe. Aty, ata japin përgjigje për dilemat më të mëdha të kombit tonë. “A duhet me fjet me çorape apo pa to” apo “a duhet me fjet në krah të djathtë apo të majtë” apo për krimin e pafalshëm të seksit para martese!

Çfarë të fjeturi, more? Armiku në derë, e ju në gjumë! Armiku nuk ka brirë! Ka mjekër, na thotë qeveria. E revolucioni demokratik i quajtur “YouTube” është një oqean virtual ku ka gjithçka.

Aty pranë e pranë, gjen urti e marrëzi, pornografi e moralizime të skajshme, bukuri dhe shëmti pra … mjekra e mustaqe, pra gjithçka. Dikush nëpër video krenohet me shenjtoren Terezë, e dikush në videon tjetër e përcjell në ferr. Dikush e rreh shuplaka Gjergjin, e të tjerët këndojnë për të.

Por, polica dhe shteti ynë nuk do të lejojnë gjithçka në “YouTube”. Pse, çka keni pritur ju? E ndalim, ne!

Ndoshta deri sa të dalë në shtyp kjo kolumnë “Ali Baba” veç do të jetë kapur dhe do të marrë krejt vëmendjen publike, duke qitur në harresë hajdutët e vërtetë të politikës dhe shoqërisë sonë, qofshin ata dyzet apo dyqind. Edhe “shoku” Enver do të ketë lexuar verdiktin në kushtetuese. Kështu që krejt kjo mundet të mos i marrë përmasat e serialit. Sipas nevojës!

Pra, të dyzet “hajdutët” janë kapur. Ishte një kapje publike. Për me e legjitimue hutinë qeveritare, krejt kjo mbështillej me flamurin amerikan, edhe pse zyrtarët amerikanë dhe europianë e mohojnë të kenë urdhëruar fushatë të tillë. E policë me syze dielli të shtrenjta, gjithsesi tepër të shtrenjta për pagat e tyre të vogla, defiluan para syve tanë, duke i mbajtur për krahu “modelet” me mjekra. Spektakël!

Falë Zotit, asnjë “muxhahedin” nuk rezistoi, por po ecin krah për krah me shtetin në këtë “sfilatë” politike.

Pra, armiku u kap! E do të kapet sa herë që të jetë nevoja për spektakël. Në dekadat e ardhshme “mjekrat” do të jenë armiku kujdestar. Nuk ka nevojë as për dëshmitarë të koduar. Mjaftojnë mjekrat. Ka video dhe fotografi, por avokatët do të thonë se ishin veç një performancë me photoshop. Nejse!

Ka shumë që thonë se ky shtet kaq efektiv me arrestime, nuk qiti asgjë në dritë rreth shumë akteve terroriste që u zhvilluan para syve tanë që pas lufte, qoftë në veri apo kur u vranë shumë figura politike apo u plaçkit me të madhe pasuria e qytetarëve, por … Zhurmë, shumë, shumë zhurmë!

E kuptuat? Mesazhi i qeverisë me këto arrestime është se paqja në Kosovë varet nga vetë Siria. Jo nga qeveria. Pas kësaj sfilate “me mjekrat” shumë shpejt sirianët mund të ndihen të obliguar me ua kthye borxhin vëllezërve të tyre nga Kosova. Me luftue kundër shqiptarëve pa mjekra apo të besimit tjetër. Pastaj me postue në Facebook sloganet si “Edhe Kosova është Siri”.

Kështu, në Kosovë, ke mjekër je i dyshimtë, s’ka nevojë me pasë pikëpamje as me qenë i organizuem. Nëse ka interes, vetë shteti të organizon. Ka që mendojnë se mjekrat janë produkt i po kësaj qeverie. Edhe shamiat! Krijimi i armikut kujdestar është çelësi për me hy në autoritarizëm.

Pra, kështu po thotë “shoku” shtet. Dyzet mjekrat janë duke u trajtuar me procedurë të rregullt dhe krejt kjo do të zgjasë së paku deri pas vendimit të Kushtetueses për kryeparlamentarin. Gjithsesi mjekrat janë të dyshimta vetvetiu. As mos dyshoni! Shumë njerëz që ndikuan në histori kishin mjekër.

Edhe shoku Marks, Engels dhe madje edhe Lenini kishin goxha mjekër. Ishin ateistë, me mjekër! Nejse Lenini e kishte mjekrën pakëz më ndryshe. Disi më leniniste. E Marksi më marksiste. Ndërkohë që Stalini dhe Hitleri kishin vetëm mustaqe. Madje për “dajën” Hitler as nuk mund të thuhet se kishte mustaqe. Gjysmë mustaqe. Sidoqoftë mustaqet e tij sot e kësaj dite janë të njohura si “hitleriane”.

E Stalini, po. Ai kishte tamam mustaqe. Tamam burrë! La pas vetes 20 milionë varre. Hitleri po aq. Qytetarë të nderuar, mos më kapni për numra, se mund të kem gabuar ndonjë milion më pak apo më shumë. Po ju them ju, se qeveria për ndonjë milion nuk e bën të madhe. Krejt janë pak a shumë milionerë. E ju tjerët … po ku dini ju sa janë një milion!

A janë mustaqet të pafajshme? A janë të dyshimtë meshkujt me mustaqe?

Mjekër kishte edhe Abdyl Frashëri, Naimi, madje edhe Vaso Pashë Shkodrani, i cili nuk ishte mysliman, edhe pse ishte pjesë e përrallës së madhe të quajtur Perandoria Osmane.

Ainshtajni nuk kishte mustaqe, as “Shoku Enver, e madje as “Shoku” Tito.

Mustaqe nuk ka as “shoku” Thaçi e as ministrat e tij.

I shqetësuar me mjekrën time të parruar, me nguti e porosita një birrë. Diçka në vend të një deklarate solemne. Ku e dallon ky shtet armikun. Nuk shikohet në pasqyrë. E ka me mjekrat!

Të gjithë po vrapojnë të rruhen. Qeveria po kërcënon me të madhe. Prandaj o burra, të heqim … leshin! Pse të prishemi me qeverinë për kaq pak. Lesh hesapi!

Edhe ashtu, krejt kjo punë po vete në … lesh!

Top Channel