Samiti ballkanik i Gjermanisë

20/08/2014 00:00

Konferenca e 28 gushtit për Ballkanin në Berlin, organizuar nga kancelarja Angela Merkel, krahas rëndësisë në aspektin politik është po aq e rëndësishme në rrafshin ekonomik për rajonin.

Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, pjesë e delegacionit në këtë konferencë jep detajet e asaj që do të diskutohet për sa i përket ekonomisë, duke theksuar se ky interes i Gjermanisë në Ballkan do të thotë ndryshim i fateve të ekonomisë së rajonit.

“Konferenca do fokusohet në 4 pika: infrastrukturën rajonale, ku vendet e Ballkanit do bëjnë propozime për strutkurën hekurudhore e rrugore; pika e dytë është infrastruktura energjitike në Ballkan, për ta bërë atë pjesë të tregut evropian; e treta është promovimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe arsimit profesional për të vijuar atë forcë të punës në vendet e BE-së nga Ballkani; e katërta është turizmi dhe Shqipëria përbën një nga diamantët e mundshëm të këtij sektori dhe do jetë një nga temat e konferencës”, sqaron Ahmetaj.

Sic edhe Top Channel raportoi dy ditë më parë, kancelarja Merkel në fund të konferencës do të dalë përpara medias vetëm me kryeministrin Edi Rama, fakt i cili ka ngjallur pakënaqësitë e para në Serbi, Kroaci dhe Slloveni. Por përse kjo zgjedhje e kancelares Merkel? Ahmetaj jep këtë shpjegim.

“Kjo është një ngjarje e veçantë, një vlerësim direkt për qeverinë tonë, për kryeministrin, por mbi të gjitha për vendin. Si një nga të pranishmit në takimin dhe drekën e kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel, mund të them se ishte një takim ndryshe, i veçantë e tejet miqësor, edhe pse ishte i pari mes tyre. Promovimi që kryeministri Rama i bëri Ballkanit dhe fokusit tek nevoja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit shënoi një pikë kthese në raportet mes dy vendeve tona, që sot janë në nivelin më të mirë”, nënvizon Ahmetaj.

Top Channel