Revokohet leja e minierës pas tragjedisë

20/08/2014 00:00

Një ditë pas aksidentit të rëndë, që i mori jetën dy minatorëve në një galeri kromi, në minierën e Fushë-Lopës në Martanesh, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka revokuar licencën minerare për subjektin që e administronte, “Alba-Co”.

Pas një inspektimi të kryer nga Reparti i Inspektim-Shpëtim të Minierave, rezulton se shkak i aksidentit është moszbatimi dhe shkelja e rregullores teknike në punë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se, menjëherë pas ngjarjes, aktiviteti i punës në objektin minerar është ndaluar.

Në përfundim të inspektimit kanë nisur procedurat për heqjen e lejes minerare dhe përdorimit të lëndës plasëse për subjektin “Alba-Co”, me zotërues të lejes inxhinier-miniere Shemsi Ballabani, i cili njëkohësisht kryente edhe detyrën e drejtuesit teknik të subjektit.

Ministria thotë se ky subjekt ishte kontrolluar për herë të fundit nga inspektorët më 24 Mars të këtij viti dhe për të metat e konstatuara janë lënë detyra specifike dhe një masë administrative me gjobë 100 mijë lekë.

Top Channel