“Beteja” për pallatin te liqeni

20/08/2014 00:00

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame ka reaguar lidhur me lejen e ndërtimit të pallatit 20-katësh pranë liqenit Artificial, duke akuzuar kryebashkiakun Basha se po betonizon Tiranën.

“E kam denoncuar këtë fakt që vjet në Prill dhe Bashkia, me paturpësinë më të madhe, publikisht, gjithmonë është shprehur se ne po gënjenim. Tani, që lejen e dhanë, po përdorin një gënjeshtër akoma më sureale. Na thonë që, duke ndërtuar këto 5 monstra betonarmeje, do të shtohet gjelbërimi në Tiranë. Me brroçkulla të tilla, mashtrimi ka arritur në nivele ku nuk ia vlen më të merresh me to, por me këtë situatë tragjike ku po zhytet ky qytet”, tha Artan Lame, drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t.

Lame akuzon më tej Bashkinë e Tiranës se ka dhënë me dhjetëra leje ndërtimi në zona kyce të kryeqytetit.

“Vetëm gjatë muajve të fundit janë miratuar në Bashki rreth 60 leje ndërtimi pallatesh të larta, pikërisht në zonat më të ndjeshme të qytetit. Veç këtyre janë miratuar deri tani edhe rreth 70 studime, e në secilin prej tyre do të jepen të tjera ndërtime të larta. Dhe, ndërkaq, gjatë Gushtit vazhdojnë të miratohen lejet e reja, si kjo monstra që po flasim sot”, deklaroi Artan Lame.

Kreu i ALUIZNI-t thotë se situata është rënduar, sipas tij, edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë kufizuar mundësinë e kontrollit të vendimmarrjeve të pushtetit vendor.

Ndërkohë ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila akuzon kryeministrin Rama se zhduku lulishte të tëra nga zemra e kryeqytetit dhe betonizoi mbi 65 mijë metra katrorë gjelbërim, vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak.

“Në tre vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka shtuar mbi 95 mijë metra katrorë hapësira të gjelbra, ndërsa plani urban i Tiranës i dha fund sekserëve ‘alla Lame’ dhe arbitraritetit korruptiv ‘alla Rama’”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.

Top Channel