PD: Fatura fiktive energjie. Reagon OSHEE

20/08/2014 00:00

Opozita ka denoncuar të mërkurën një urdhër sipas saj politik ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të faturuar aforfe jo më pak se 200 kw/orë në fshat, edhe pse banorët e fshatit përgjithësisht shpenzojnë mjaft më pak, si dhe në shtëpitë ku nuk ka banorë.

Deputeti Aldo Bumçi, duke cituar burime serioze nga kompania, paralajmëroi se shqiptarët do të duhen të përgatiten për një dimër shumë të vështirë.

“Do të paguajnë fatura më të larta dhe aforfe të energjisë elektrike, do të paguajnë për konsum më të lartë të energjisë, edhe pse nuk e kanë konsumuar atë dhe do të jetë shumë e vështirë të ankimohen, edhe pse mund të kenë të drejtë të apelojnë. Kjo është direktiva e qeverisë”, deklaroi Bumçi.

Sipas tij, punonjësit e CEZ, që sot njihet me emrin OSHEE, kanë marrë urdhëra politikë nga lartë që të mos faturojnë më pak se 200 kw/orë në fshat, edhe pse banorët e fshatit përgjithësisht shpenzojnë mjaft më pak, të mos faturojnë më pak se 200 kw/orë në ato banesa, në fshtat edhe në qytet, ku nuk banon njeri dhe ku sipas tarifave të miratuara nga ERE duhet paguar vetëm 340 lekë/muaj.

“Për biznesmenët e vegjël vijnë “surpriza” të tjera. Pavarësisht llojit të biznesit, mikro apo të vogël, sezonal apo jo, biznesi nuk do të paguajë më pak se 500 kw/orë, pavarësisht sa i lexon matësi. Këto udhëzime politike janë dhënë pikërisht nga ata që dhanë urdhër të nënshkruhet marrëveshja me CEZ, edhe pse pa transparencë, fshehtazi dhe në dëm të interesave të shqiptareve”, shtoi Bumçi.

OSHEE hedh poshtë akuzat e PD
Po akuzohemi nga ata që dje nxitën abuzivizmin me energjinë

Pas deklaratave të ardhura nga Partia Demokratike lidhur me mbifaturimet që pritet të kryhen nga OSHEE, me anë të një deklarate për shtyp ka reaguar kjo e fundit.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të ditur se ka marrë fund periudha kur faturat e shqiptarëve manipuloheshin në mes të natës me urdhëra partie dhe penalizoheshin masivisht zona të tëra për të nxjerrë bilance të trukuara. OSHEE garanton të gjithë abonentët e saj se veprimtaria e përditshme e shoqërisë për uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve është kryer dhe do të vazhdojë të kryhet në përputhje të plotë dhe në zbatimin me përpikmëri të legjislacionit shqiptar”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Më tej OSHEE thekson se, sektori i faturimeve funksionon mbi bazë të një udhëzimi në të cilën paralajmërohen masa të rënda ndëshkimore deri në ndjekje penale për çdo lexues që faturon me gabime të theksuara. Në fund të deklaratës OSHEE u rikujton të gjithë shqiptarëve se, gropën ekonomike dhe krizën energjitike e krijuan ata që sot po akuzojnë OSHEE-në.

“Theksojmë se OSHEE është e vendosur dhe ka të gjithë vullnetin për të luftuar paligjshmërinë, vjedhjen e energjisë elektrike, si dhe paralajmëron zero tolerancë për të gjithë shkelësit, ndryshe nga praktikat e qeverisë së mëparshme, e cila inkurajoi abuzivizmin dhe shkeljen flagrante të ligjit”, mbyllet reagimi. 

Top Channel