Tifozi bullgar i quajtur “Manchester United”

20/08/2014 00:00

Zdravkov Levidzhov ia ka dalë mbanë të ndryshojë emrin. Lamtumirë atij të vjetrit, bullgar, të vendosur nga ligji dhe prindërit e tij, dhe “mirësevjen” ai i riu, një emër marke, apo më mirë siç e kishte ëndërruar prej kohësh: Manchester United.

Nuk është një shaka, pasi 50-vjeçari ka luftuar për plot 10 vjet me gjykatat bullgare për të pasur mundësinë të quhet “Zoti Manchester United”. Historia e çuditshme e publikuar përmes një dokumentari të pavarur është bërë i njohur nga tabloidi “The Sun”.

Madje, Zdravkov jo vetëm që ka ndryshuar emrin, por ka bërë edhe një tatuazh në ballë, stemën e Manchester United. Kjo kthesë e papritur në jetën e këtij supertifozi të “djajve të kuq” e ka pasur pikënisjen në minutat e fundit të ndeshjes finale të Champions League, më 1999-n.

Deri në atë moment, jeta e Zdravkov ishte e qetë, mes pasionit për futbollin dhe i rrethuar nga nëna e tij e plakur dhe maçoku Beckham. Kur United ishte duke u mposhtur 1-0 nga Bayern Munchen, bullgari ishte shprehur se “nëse fitojmë do të ndryshoj emrin, duke vendosur atë të klubit”. Ende nuk dihet nëse ishte i dehur apo jo… por prej atëherë kaluan shumë vite e shumë peripecira deri sa ky “premtim” u bë realitet.

Top Channel