FBI: Videoja e ekzekutimit, autentike

20/08/2014 00:00

FBI besons e videoja e publikuar nga militantë të Shtetit Islamik, që shfaq ekzekutimin e gazetarit amerikan James Foley është autentike, raportoi gjatë së mërkurës “GlobalPost”.

“FBI njoftoi mëngjesin e së mërkurës familjen Foley në lidhje me konkluzionin e tyre: ata besojnë se videoja është autentike”, bën të ditur “GlobalPost”, një agjenci informative me seli në Boston, e cila kishte punësuar Foleyn si një punonjës i pavarur.

Presidenti amerikan Barack Obama, i cili ndodhet me pushime në ishullin e Massachusetts “Martha’s Vineyard”, pritet të dalë gjatë orëve të mëvonshme në konferencë për të komentuar mbi këtë video, bëri të ditur një zyrtar amerikan për Reuters.

Autoritetet amerikane thanë më herët se po përpiqeshin të verifikonin përmbajtjen e videos, e cila u publikua të martën. Duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar, “Associated Press” raportoi mbrëmjen e së martës se autenticiteti i videos ishte konfirmuar.

Videoja e titulluar “Një mesazh për Amerikën” tregon edhe imazhet e një tjetër gazetari amerikan, Steven Sotloff, jeta e të cilit sipas Shtetit Islamik varet nga mënyra se si do të veprojnë SHBA-të në Irak.

Foley, 40 vjeç, ishte marrë peng në Siri në vitin 2012 teksa ishte duke u kthyer në kufirin me Turqinë. Ai raportonte nga Lindja e Mesme për 5 vite dhe ishte marrë peng e më pas liruar edhe në Libi.

Nëna e Foleyt, Diane Foley, tha në një deklaratë gjatë së martës, se djali i saj dha jetën për të ekspozuar vuajtjet e popullit sirian. Ekzekutimi vjen si një surprizë dhe sinjalizon një tjetër front kundër Shteteve të Bashkuara.

Edhe zëdhënësi i Komunitetit amerikan të Inteligjencës, Caitlin Hayden, tha se “nga analiza e videos së fundit, që shfaq shtetasit amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, kemi arritur në gjykimin që videoja është e vërtetë. Do të vazhdojmë të japim të dhëna të reja, sapo të jenë të mundshme”.

Top Channel