Veliaj reagon për skandalin e Sarandës

20/08/2014 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj ka reaguar lidhur me skandalin e Sarandës, ku një përfaqësues i Partisë Socialiste kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Ministri Veliaj ka denoncuar aktin “pervers” dhe ka deklaruar se veç ndihmës ekonomike për shtetasen Elvira Gega, për vajzën e saj është përgatitur një ndihmë psiko-sociale.

“Momentalisht stafi ynë dhe ai psiko-social, që kujdeset për rastin flagrant ku doli identiteti i të miturës, po kujdeset që situata të trajtohet nga profesionistë të fushës dhe jo të histerisë politike të partive opozitare”, deklaroi Veliaj.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që kur të kërkojnë punë të drejtohen vetëm tek zyrat e punës të përhapura nëpër gjithë vendin, ku të dorëzojnë materialin përkatës.

“Njoftoj qytetarët që zyra shtetërore për punësim është ajo e punës. Zyra të tjera që janë alternativa kontaktesh me qytetarët nuk janë të tilla. Sot pamë mënyrën perfekte se si funksionon zyra e punës në Vlorë. Njeriu shkon në zyrë, lidhet me një biznes, nis lëvizja e fondeve dhe fillon procesi i punësimit”, tha Veliaj.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një vizite në një kompani të përpunimit të drurit në Vlorë, përfituese e nxitjes nga skema e punësimit.

Top Channel