PD takon delegacionin gjerman

20/08/2014 00:00

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike takuan zëvendëskryetarin e Bundetsagut dhe parlamentarët gjermanë në mjediset e hotel ‘Rogner’.

Sipas një njoftimi për shtyp, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet mes të dy vendeve, ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Spaho u ndal në zhvillimet politike në vend dhe ndau me zëvendës presidentin e Bundestagut shqetësimin e Partisë Demokratike për frymën antikonsesus, dhe fushatën e gjithanshme antiligjore dhe antikushtetuese të mazhorancës Rama-Meta dhe qeverisë për kapjen me çdo mënyrë të institucioneve të pavarura dhe zhbërjen e standardeve demokratike të arritura.

Deputetët demokratë ngritën shqetësimin për prishjen e konsensusit për ligjin e ‘nëpunësit civil’, largimet nga puna dhe zëvendësimin e tyre me individë me precedentë penalë, për dhunën ndaj përfaqësuesve të saj në Parlament, ndarjen e re territoriale, çështjen e ILDKP-së dhe AMA-s, heqjen e kompetencave të Presidentit, etj…

“Në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit dhe me rekomandimet e faktorit ndërkombëtar të paketës së ligjeve për të gjunjëzuar sistemin e drejtësisë në vend janë disa nga indiciet e qarta të fushatës arrogante të mazhorancës Rama-Meta, për zhbërjen e standardeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe shtrirjen e pushtetit të interesave oligarkike”, theksuan ata në takim.

Por deputetët demokratë thanë se megjithatë këtë situatë të nderë, opozita vijon të mbështesë pa asnjë kushtëzim të gjitha nismat ligjore të lidhura me integrimin europian, por u kërkuan  miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të insistojnë për ruajtjen e standardeve të arritura deri më sot dhe për rikthimin e konsensusit politik dhe bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, si Euralius apo komisioni i Venecias, për realizimin e reformave kruciale, me impakt afatgjatë, siç është reforma në drejtësi apo reforma e lidhur me ndarjen administrative dhe decentralizimin.

Top Channel