SHBA, misioni sekret “i dështuar” për pengjet

21/08/2014 00:00

Pas ekzekutimit që tronditi Shtetet e Bashkuara e solli një valë reagimesh të liderëve ndërkombëtarë, mbërrin dhe një lloj shfajësimi i amerikanëve.

James Foley kishte dy vjet në duart e pengmarrësve e shumëkush mund të mendojë: çfarë bëri Uashingtoni për ta shpëtuar atë nga duart e ekstremistëve?

Edhe pse më parë një informacion i tillë nuk ishte bërë ndonjëherë publik, tani zyrtarë të Shteteve të Bashkuara pretendojnë se ushtria amerikane e kishte tentuar përmes një misioni të fshehtë lirimin e reporterit, por pa sukses.

“Shtetet e Bashkuara organizuan një operacion shpëtimi për lirimin e disa amerikanëve të marrë peng në Siri. Ky mision përfshinte elementë nga ajri e nga toka dhe përqendrohej në një rrjet të veçantë rrëmbyesish brenda ISIS-it. Fatkeqësisht, ai nuk e përmbushi dot objektivin e tij për shkak se pengjet nuk ndodheshin në vendin e shënjestruar”, lexohej në deklaratën e Pentagonit.

Vdekja e fotoreporterit 40-vjeçar ishte një shpagim ndaj sulmeve amerikane kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Levant, e pohuar kjo nga vetë militantët në videon e tmerrshme të ekzekutimit që kishin online, me qëllimin t’i dërgonin një mesazh presidentit Barack Obama.

Ky i fundit, në një deklaratë për shtyp dhënë pasditen e së mërkurës, e cilësoi vrasjen e Foleyt si një “akt dhune që tronditi ndërgjegjen e mbarë botës”. Militantët e ISIS-it, që kontrollojnë sot pjesë të mëdha territori në Irak e Siri, shefi i Shtëpisë së Bardhë i krahasoi me një “kancer”, që përhapet ngadalë, e tha se ideologjia e grupit është e kalbur dhe e destinuar të dështojë.

Komiteti i mbrojtjes së gazetarëve u shpreh thellësisht i shqetësuar për të gjithë reporterët e marrë peng nga ISIS dhe e përshkroi Sirinë “si vendin më të rrezikshëm të globit” për gazetarët sot. Foley, një “freelancer”, kishte raportuar nga zona të ndryshme të Lindjes së Mesme për amerikanen “GlobalPost” e për një sërë mediash të tjera, përfshirë agjencinë franceze të lajmeve AFP.

Top Channel