F1, Red Bull: Asnjë rrezik për Verstappen Jr

21/08/2014 00:00

Red Bulli ka mbrojtur vendimin e tij për të përfshirë në aktivitet të riun holandez, Max Verstappen, i cili në sezonin e ardhshëm (2015), kur të jetë vetëm 17 vjeç, do të debutojë në një Botëror të Formula 1 duke garuar për njëvendëshen e Toro Rossos, duke hyrë në histori kështu si piloti më i ri i të gjitha kohërave në F1.

Helmut Marko, bosi i Red Bullit, ka dhënë një deklaratë për faqen zyrtare të Formula 1, ku është shprehur se Toro Rosso, skuderia satelite e tyre, nuk po ndërmerr ndonjë rrezik mbi supe me kontraktimin e pilotit të ri, i cili sot është vetëm 16 vjeç.

Për drejtuesin e Red Bullit, Verstappen Jr (I biri i Verstappen), i cili është ende shumë i ri për të drjetuar një automjet në rrugët publike të vendlindjes së tij, do të ketë përjetuar vetëm 1 vit eksperiencë me njëvendëshet e F1 kur të zbresë për herë të parë në një garë zyrtare gjatë vitit 2015.

Max ka qenë jo më shumë se sa një foshnje, kur pilotë të tjerë aktualë, si Button për shembull, garonte kundër të atit të tij Jos Verstappen, në fillim të këtij shekulli. “Është mjaft i ri, por ka treguar në shumë raste, nëpër gara, se di ta përdorë mirë trurin. Nga ato pak biseda me të kam kuptuar se ai është maturuar mjaftueshëm. Në Toro Rosso – vazhdon më tej Marko – do të gjejë një ambient të famshëm sa i përket të rinjve dhe besoj se do të jetë i përgatitur mirë përpara se të garojë zyrtarisht. Nuk shoh asnjë rrezik në lidhje me këtë”.

Në të kaluarën, piloti më i ri që ka garuar në F1 ka qenë spanjolli Jaime Alguersuari, i cili debutoi në moshën 19 vjeç e 4 muaj në Çmimin e Madh të Hungarisë, në vitin 2009, edhe atëherë nën drejtimin e po së njëjtës makinë: Toro Rosso.

Top Channel