Tailandë, lideri i juntës emërohet kryeministër

21/08/2014 00:00

Lideri i grushtit të shtetit në Tailandë, Gjeneral Prayuth Chan-ocha, është emëruar kryeministër i ri i vendit gjatë së enjtes, nga një legjislaturë të zgjedhur prej vet atij, duke i dhënë shefit të ushtrisë legjitimitet, teksa ushtria vazhdon me përpjekjet për të heshtur të gjithë kritikët e saj.

Ushtria mori pushtetin më 22 Maj pas një grushti jo të përgjakshëm, i cili erdhi pas 6 muajsh protestash ndonjëherë edhe të dhunshme e vdekjeprurëse nëpër rrugë, e që kontribuoi në rrëzimin e kryeministres Yingluck Shinaëatra, qeveria populiste e së cilës kundërshtohej nga mbështetësit e Bangkokut monarkist.

Edhe pse emërimi i Prayuth i hap rrugën krijimit të një qeverie të re në javët e ardhshme, pushteti do të mbetet sërish e me vendosmëri në duart e anëtarëve të juntës ushtarake. Gjenerali tha se ai planifikon të vazhdojë përpara me një vit të ngjeshur reformash politike, përpara zgjedhjeve të reja që – siç tha ai, – do të zhvillohet nga fundi i vitit 2015.

“Kjo zgjedhje pritet t’i japë atij fuqinë për të drejtuar vendin sipas ligjeve. Pozicioni i kryeministrit do t’i japë atij fuqinë ligjore në sistemin e qeverisjes së Tailandës”, tha Gothom Arya, një lektor i studimeve për të drejtat e njeriut, në Universitetit Mahidol, për Reuters.

Nominimi i tij nuk është aspak surprizë, pasi Asambleja Kombëtare Legjislative (NLA) e zgjedhur prej Prayuth konsiderohet gjerësisht pak më shumë se sa një Parlament “kukull”, i ngarkuar me detyrën për të miratuar reforma të thella nën kujdesin e ushtrisë.

60-vjeçari Prayuth do të tërhiqet nga posti i shefit të ushtrisë në Shtator, por do të qëndrojë në krye të juntës, që formalisht njihet si Këshilli Kombëtar për Paqe dhe Rend. Emërimi i tij do të duhet të marrë miratimin e mbretit të Tailandës.

Top Channel