Në Ulqin të Malit të Zi, këto ditë është duke u zhvilluar eventi i përvitshëm i Panairit të Librit.

Shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, nga data 19 deri më 23 Gusht do të prezantojnë botimet e tyre më të mira. Sipas organizatorëve, në panair marrin pjesë rreth 50 shtëpi botimi, me 4000 tituj librash, ku 400 prej tyre janë libra të rinj.

Tashmë e kthyer në një traditë, Panairi i Librit në Ulqin këtë vit shënon edicionin e 14. Një numër i konsiderueshëm librash të rinj, që po prezantohen në këtë panair, i përkasin letërsisë antike, letërsisë për fëmijë, botime enciklopedike, guida turistike, fjalorë, poezi dhe romane.

Panairi i Librit është pritur me mjaft interes nga qytetarët e Ulqinit dhe jo vetëm, të cilët shprehen se këtij eventi, që përfshin të gjitha trojet shqipfolëse, duhet t’i jepet akoma një dimension i përmasave më të mëdha, që bashkon gjithë shqiptarët nëpërmjet librit.

Top Channel