Fëmijët, që po pushojnë buzë Adriatikut dhe janë të apasionuar pas sportit të notit, morën pjesë këtë javë në një minikampionat noti, që u zhvillua në Durrës. 18 fëmijë të moshave 12-14 vjeç u përfshinë në këtë garë sportive.

“Ne kemi marrë përsipër këtë aktivitet, për t’i treguar dhe nxitur të gjithë bizneset por edhe qytetarët e Durrësit, që operojnë në fushën e turizmit, për një shtysë më të madhe ndaj lojrave të detit e njëkohësisht duke iu ofruar një shërbim më të mirë të gjithë pushuesve që vijnë në Durrës”, u shpreh kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Për kreun lokal të Shoqatës shqiptare të Turizmit (ATA), Eduard Xhepa, ky aktivitet i shërben jo vetëm argëtimit fizik dhe edukativ përmes sportit me përfaqësues të ujit, notit, por njëkohësisht është një nxitje për biznesin dhe operatorët turistikë të Durrësit për të qenë sa më shumë dhe sa më aktivë në shërbim të pushuesve të bregdetit të Durrësit, pasi aktivitete të tilla i japin shumë më tepër gjallëri plazheve.

“Na lindi një ide, për të organizuar këta fëmijë që pushojnë këtu dhe për t’i ofruar një argëtim fizik, e edukativ. Duke qenë se edhe pista është e pëlqyeshme nga fëmijët, ne menduam që, përveç destinacionit të natyrshëm që ata kanë, të bëjnë edhe këtë aktivitet të garës së notit për fëmijët gjatë këtij sezoni turistik”, tha Eduard Xhepa, kryetar i Shoqatës së Turizmit, Durrës.

Garat e notit u karakterizuan nga një rivalitet i madh midis notarëve të vegjël, ndërsa në përfundim të tyre vendin e parë dhe kupën e aktivitetit e fitoi notarja 12-vjeçare Lea Dimo, e cila jeton në Gjermani dhe aktualisht po pushon me familjen e saj në Durrës.

Top Channel