Universitetet private të cilave nuk u është hequr liçenca dhe as janë pezulluar, por u janë propozuar disa masa nga rektorati në përgjigje të procesit të kontrollit të zbatimit të ligjshmërisë, e vlerësojnë nismën e Minsitrisë së Arsimit si një proces të domosdoshëm dhe të realziuar në kohën e duhur për të përmirësuar arsimin e lartë privat.

“Përshëndes procesin. Është një proces i gjatë, i hapur e transparent nga MAS për zbatimin e kontrollit të ligjshmërisë. MAS ka vetëm 3 masa për UET-në dhe ne kemi vendosur mbledhjen e senatit për të plotësuar këto masa, që kanë të bëjnë me plotësim të dosjeve të studentëve, me njohjet e diplomave, me lejen e punëdhënësit për angazhimin e profesorëve të jashtëm, etj”, deklaron profesor doktor Tonin Gjuraj, kryetar i senatit akademik pranë UET.

“Kjo është koha e saktë dhe momenti i duhur për kryerjen e reformës në arsimin e lartë dhe për kontrollin e ligjshmërisë. Është e rëndësishme që institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri të jenë të afta për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballen, ndaj kërkohet modernizim i menaxhimit të sistemit të asrimit, kurrikulave dhe infrastrukturës. Një nga veçoritë e univeristetit Epoka është dimensioni ndërkombëtar në mënyrë që studentët të gjejnë punë jo vetëm në tregun vendas por dhe atë ndërkombëtar”, thotë profesor doktor Remzi Altin, rektor i universitetit Epoka.

Univeristetet private janë gati të presin studentë të univeristeteve të tjera të cilat rezultuan me shkelje dhe u mbyllën, duke përcaktuar kritere për këto pranime.

“Siç theksoi dhe MAS, ne do jemi në anën e këtyre studentëve, ne do t’i akomodojmë ata por sipas udhëzimit të MAS-it. Ne vendosëm disa afate e kritere që studentët duhet të plotësojnë e që stafi për vitin e ri akademik të kthehet në punë”, nënvizon Gjuraj.

“Ne jemi gati të presim studentë që do të vijnë nga univeristetet që tanimë janë mbyllur, por ne kemi dhe kriteret tona të pranimit. Studentët që ne pranojmë duhet të kenë nivel të mirë të anglishtes, pasi të gjitha lëndët  zhvillohen në anglisht. Ndonëse kur studentët regjistrohen në vit të parë kërkohet një mesatare e katër viteve të shkollës mesme 8, për studentë të cilët vijnë nga universitete të tjera duhet minimumi mesatarja të jetë 7 dhe më pas do t’i nënshtrohen një interviste nga komiteti shkencor, sipas departamenteve përkatëse”, thotë Altin.

Për një sërë shkollash të larta private ministria ka lënë porosi plotësimin e disa kushteve që lidhen me kuadrin ligjor, por edhe proçedurën e funksionimit të brendshëm të tyre.

Top Channel