Në kërkim të xhelatit britanik

21/08/2014 00:00

Policia dhe shërbimet e sigurisë po punojnë për të identifikuar shtetasin britanik të kthyer në xhihadist, që shfaqet në pamjet e ekzekutimit të gazetarit amerikan.

Grupi ekstremist Shteti Islamik publikoi një video të momenteve para dhe pas ekzekutimit të James Foley, të cilit iu pre koka.

Raportime të pakonfirmuara sugjerojnë se personi në video, që kishte një theks të fortë anglez, është nga Londra ose nga jug-lindja e Anglisë dhe ka shërbyer si roje e pengjeve të IS-it.

James Foley, 40 vjeç, ishte shpallur person i humbur që prej vitit 2012, kur ishte rrëmbyer në Siri. Mësohet se FBI-ja po drejton gjuetinë ndërkombëtare për të kapur këtë vrasës, ndërsa Scotland Yard po ekzaminon përmbajtjen e videos.

Që kur pamjet u publikuan, forcat amerikane kanë kryer 14 sulme ajrore ndaj militantëve të IS-it në afërsi të digës së Mosulit, në veri të Irakut.

Luftimet kanë vazhduar në këtë zonë që kur forcat irakene dhe ato kurde rimorën nën kontroll objektin strategjik më herët gjatë javës, pasi kishte rënë në duart e militantëve.

Kryeministri britanik David Cameron deklaroi se sa vijnë e rriten gjasat që personi që ekzekutoi gazetarin amerikan është britanik, por shtoi se nuk është momenti për reagime të papërmbajtura.

Zoti Cameron, që ndërpreu pushimet e tij ditën e mërkurë, pritet të kthehet në Kornuell, por do të vazhdojë të marrë telefonata dhe raportime. BBC raporton se personi që shfaqet në pamjet filmike mendohet të ketë udhëtuar në Siri në tre vitet e fundit.

Ndërsa “The Guardian” shkruan se, personi mendohet të jetë shefi i një grupi luftëtarësh britanikë me bazë në Siri. Sipas gazetës, ai identifikohej me emrin “John” dhe besohet të jetë nga Londra.

Top Channel