Banka Amerikane, 16 miliardë $ gjobë

21/08/2014 00:00

Banka e Amerikës ka rënë dakord t’u paguajë një gjobë stratosferike autoriteteve të Shteteve të Bashkuara, për keqinformim të investitorëve në lidhje me cilësinë e huave të shitura.

Huatë ishin shitur nga bankat Countrywide Financial dhe Merill Lynch para se të bliheshin nga Banka e Amerikës në vitin 2008, në pikun e krizës financiare.

Ndihmës prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara deklaroi se, “asnjë institucion nuk është aq i madh apo aq i fuqishëm sa t’i shpëtojë ndëshkimit”.

Pagesa e gjobës, përmes të cilës do të zgjidhet kontesti mes institucionit bankar dhe shtetit amerikan, do të shkurtojë me 5.3 miliardë dollarë fitimet e tremujorit të tretë të BA.

Banka e Amerikës do të paguajë në total 9.65 miliardë dollarë në formë parash të thata dhe do të ofrojë lehtësim konsumi me vlerë rreth 7 miliardë, shumica e të cilave do të shkojnë për pronarët e shtëpive, pjesa dërrmuese e të cilëve po lufton me hipotekat.

Paratë e thata konsistojnë në 5 miliardë dollarë ndëshkim civil dhe 4.63 miliardë në pagesa dëmshpërblyese. Çështja vuri në qendër të vëmendjes Countrywide Financial, instituti huadhënës më i madh në kohën e krizës, dhe Merrill Lynch, që u shiste hua hipotekore investitorëve por pa u shpjeguar shtrirjen e plotë të rrezikut financiar.

“Është njësoj si të shkosh në ushqimoren e lagjes për të blerë qumësht të reklamuar si i freskët, vetëm për të zbuluar më pas se punonjësit e dyqanit e dinin që qumështi që po blinit ju ishte lënë jashtë frigoriferit për një ditë të tërë dhe sërish nuk ju thanë”, deklaroi ndihmës prokurori i përgjithshëm Tony West.

Në Wall Street, aksionet e Bankës së Amerikës pas vendimit për të paguar gjobën u hapën me 1.5 për qind më lartë, pasi reja e zezë që qëndronte mbi institucionin financiar tashmë ishte hequr.

Top Channel