Kura eksperimentale kundër Ebolas

21/08/0014 00:00

Kura eksperimentale kundër Ebolas rezulton efikase. Dy pacientët amerikanë të infektuar nga virusi në Afrikën Perëndimore lanë spitalin në gjendje të shëndetëshme dhe sipas autoriteteve amerikane në organizmin e tyre nuk ka më gjurmë të virusit.

Doktori Kent Brantly, 33 vjeç la spitalin duke falenderuar familjarët, të afërmit dhe miqtë për mbështetjen e tyre, ndërsa Nancy Writebol, 59 vjeç doli ditën e martën.

Dy mjekët amerikanë u infektuan me virusin vdekjeprurës në Afrikën Perëndimore ku ishin angazhuar me organizatat ndërkombëtare kundër sëmundjes së rëndë. Dy javë më parë, pas shfaqjes së shenjave të infektimit ata u transferuan në SHBA ku iu nënshtruan kurave intensive kundër virusit.

Virusi kalohet te njeriu nga Lakuriqi i Natës dhe zyrtarisht nuk ka kurë kundër tij duke e bërë Ebolan njërën prej sëmundjeve më vdekjeprurëse që shkakton vdekjen në 50 deri në 60 përqind të rasteve të prekjes.

Dy amerikanët e infektuar iu nënshtruan një kure eksperimentale pas “lejes” së marrë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që e miratoi atë. Kura e përdorur njihet si ZMapp dhe nuk ishte testuar më parë tek njeriu. Sasitë e këtij ilaçi janë të kufizuara dhe mjekët thonë se do të duhet ende kohë për të kuptuar nëse Brantly dhe Writebol janë shëruar pikërisht nga ky medikament.

Përveç dy amerikanëve ZMapp u përdor edhe në rastin e priftit spanjoll që ndërroi jetë dhe tek 3 punonjës liberianë që po shfaqin shenja përmirësimi.

Deri më tani Ebola besohet se u ka marrë jetën të paktën 1300 personave në Afrikën Perëndimore. Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në shtetin e Liberisë. Vendi afrikan është përfshirë nga trazirat shoqërore pas vendosjes së gjendjes së karantinës të disa lagjeve të kryeqytetit Monrovia.

Top Channel