Venezuelë, ushqime me shenjat e gishtave

22/08/2014 00:00

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro njoftoi se do të aplikoi një sistem të ri për të luftuar mungesën e produkteve ushqimore dhe kontrabandën.

Me anë të aplikimit të detyrueshëm të shenjave të gishtërinjve nëpër supermarkete do të synohet parandalimi i blerjes së një produkti më shumë se një herë. Por opozita në Venezuelë ka refuzuar menjëherë planin, duke thënë se politika po i trajton të gjithë venezuelianët si hajdutë.

Kritikët thanë se sistemi i ri ishte i barasvlershëm me racionimin dhe përbën një shkelje të privatësisë.

Deri në 40% e mallrave që Venezuela subvencionon për tregun e saj të brendshëm kalojnë kontrabandë në Kolumbi, ku shiten me çmime shumë të larta.

“Vlera e prodhimeve kontrabandë në Kolumbi do të jetë e mjaftueshme për të mbushur raftet e supermarketeve tonë”, tha Gjenerali Efrain Velasco Lugo, një zëdhënës i ushtrisë.

Për mungesën e produkteve në treg, rritjen e kriminalitetit dhe inflacionin e lartë, opozita ia vë fajin politikave të dështuara në 15 vitet e fundit të krahut të majtë të nisura nga ish-presidenti Hugo Chavez, i cili u nda nga jeta Marsin e vitit të kaluar.

Më parë gjatë këtij muaji, Venezuela dislokoi rreth 17 mijë trupa ushtarake përgjatë kufirit të saj me Kolumbinë, i cili u mbyll për herë të parë si pjesë e një operacioni anti-kontrabandë. Rreth 100 mijë fuçi naftë janë kontrabanduar çdo ditë, duke kaluar në Kolumbi, duke qenë se Venezuela ka çmimin më të lirë në botë të karburanteve.

Top Channel