IS, kërcënimi më i madh për SHBA

22/08/2014 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel ka paralajmëruar se militantët e Shtetit Islamik janë kërcënimi më i rrezikshëm me të cilin Shtetet e Bashkuara duhet të përballen.

Hagel ka thënë se, sulmet ajrore kanë ndihmuar në frenimin e avancimit të militantëve në Irak, por ata mund të rigrupohen së shpejti dhe të rinisin ofensivën.

Duke folur në një konferencë shtypi ditën e enjte, shefi i Pentagonit e cilësoi IS-in si një kërcënim të pashmangshëm.

“Ata janë më shumë se një grup terrorist. Ata kanë ideologjinë dhe aftësi taktike e strategjike të sofistikuara. Gjithashtu, ata janë të mirëfinancuar. Kjo shkon përtej çdo gjëje që ne kemi parë deri më sot”, deklaroi Hagel.

Ndërsa kryegjenerali Martin Dempsey theksoi se IS nuk mund të mposhtet pa sulmuar bazën e tij në Siri. Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm vuri në dukje se IS është një organizatë me një vizion strategjik që duhet patjetër të mposhtet.

“A mund të mposhten pa prekur atë pjesë të organizatës që ndodhet në Siri? Përgjigjia është jo. Problemi duhet të zgjidhet në të dyja anët e atij që në praktikë është një kufi inekzistent”, tha Dempsey.

Paralajmërimet vijnë pasi IS postoi një video që tregonte ekzekutimin e gazetarit amerikan James Foley. Shtetet e Bashkuara kanë hapur një hetim penal mbi vdekjen e reporterit, me kryeprokurorin Eric Holder që paralajmëron se, “Amerika nuk harron”.

Në ditët e fundit kanë dalë lajme se një mision ushtarak sekret u organizua nga Shtetet e Bashkuara për lirimin e pengjeve amerikane në Siri, por që dështoi. Gjithashtu flitet se militantët kishin kërkuar 132 milionë dollarë në këmbim të lirimit të gazetarit.

Top Channel