Pezullohen lejet e ndërtimit nga Vendorët

22/08/2014 00:00

Qeveria ka pezulluar të gjitha lejet e ndërtimit deri në vitin 2015, kur nis edhe ndarja e re administrativo-territoriale e vendit. Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit, kryeministri Edi Rama tha se ky vendim synon frenimin e shkatërrimit të territorit si pasojë e lejeve barbare, siç u shpreh ai, të dhëna nga pushteti vendor.

“Kjo sjell domosdoshmërinë për të pezulluar me autoritetin e KKT dhe në funksion të interesit kombëtar e publik edhe gjithë atyre interesave private që janë sakatuar çdo dite duke mos u marrë parasysh për qëllime nga më të errëtat, të zbatimit të të gjitha PDV-ve të miratuara nga KKT. Do të pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe PDV nga të gjitha autoritetet e qeverisjes vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive vendore, pas zgjedhjeve të 2015”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama tha se për të mos frenuar progresin e vendit gjatë kësaj kohe, pushteti vendor mund të japë leje vetëm në rastet që i hapin rrugë zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe industrisë së prodhimit.

Për të ndaluar çdo spekulim në këto raste, miratimi në parim do të bëhet nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Çdo leje zhvillimi apo Plan i Detajuar Vendor i miratuar pas hyrjes në fuqi të vendimit do të konsiderohet i pavlefshëm si dhe do të jetë subjekt për ndjekje penale.

Kryeministri Rama tha se qeveria është e vendosur t’i japë fund masakrës mjedisore në vend duke ndëshkuar çdo abuzues pa përjashtim. “Nuk ka më vjen inspektori, prish ndërtimin, kur ikën ai vazhdon ndërtimin… Ka vetëm një rrugë për këto raste, qelia e burgut”, u shpreh Rama.

Top Channel