Elbasan, mbeturinat digjen

22/08/2014 00:00

Djegia e mbeturinave urbane vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha e më urgjente për t’u zgjidhur në qytetin e Elbasanit.

Prej disa ditësh, i gjithë qyteti është përfshirë nga një re e dendur tymi, çka e ka bërë situatën tejet shqetësuese jo vetëm për banorët e zonave aty pranë.

Me gjithë projektet e paraqitura herë pas here nga Bashkia e Elbasanit dhe Këshilli i Qarkut dhe premtimet e çdo fushate elektorale për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, deri tani asgjë nuk është bërë dhe një vatër e madhe sëmundjeje qëndron e palëkundur mbi kokat e qytetarëve.

“S’kanë marrë asnjë masë, na mbytën plehrat. Do hiqen sot, do hiqen nesër. Të gjitha qeveritë kanë mashtruar”, ankohet një banor. “Ku t’i çojnë? S’kanë fonde? Ne qytetarët po japim fonde, le t’i lëvizin”, thotë një tjetër.

Fusha e grumbullimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit ndodhet shumë pranë një nga lagjeve më të mëdha, siç është lagjia “Çlirimi”. Por djegia e tyre ka bërë që ndotjes të mos i shpëtojë as pjesa tjetër e qytetit.

Ndërkohë, nga ana e policisë dhe e prokurorisë nuk është marrë asnjë masë për vënien para përgjegjësisë të zjarrvënësve të qëllimshëm. Shpesh herë ambientalistët kanë dhënë alarmin për rrezikshmërinë që sjell ajri i ndotur që çlirohet nga djegia e këtyre mbeturinave.

Zgjidhja përfundimtare e këtij problemi u premtua edhe nga kryeministri gjatë fushatës elektorale. Ai e parashtroi këtë si një çështje që do të merrte zgjidhje në 300-ditëshin e parë të qeverisjes, por qytetarët e Elbasanit janë ende në pritje duke jetuar mes këtij tymi kancerogjen çdo natë.

Top Channel