Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryeparlamentarit në seancën e 17 korrikut ishte jokushtetuese.

Sipas njoftimit të publikuar në ueb faqen e saj zyrtare, Gjykata me shumicë votash vendosi që mbledhja e Kuvendit të Kosovës dhe proçedura e ndjekur aty pas pezullimit të seancës konstituitive nga kryesuesja Flora Brovina për shkak të mungesës së kuorumit përbën shkelje të Kushtetutës.

Sipas Gjykatës, vazhdimi i seancës nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare përbën shkelje të nenit 67 pika 2, në lidhje me nenin 64 pika 1 të Kushtetutës dhe Kapitullin III të Rregullores së punës së Kuvendit që zbaton këto nene.

Për shkak të këtyre shkeljeve, Gjykata ka konstatuar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeparlamentar është jokushtetues, si për nga proçedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja.

Kjo, pasi sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit dhe rrjedhimisht votimi është i pavlefshëm.

Me këtë pikë të konstatimit, Gjykata ka konfirmuar se grupi më i madh parlamentar në Kuvend është ai i PDK-së. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se seanca konstituitive e Kuvendit nuk është realizuar plotësisht, pasi nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Rrjedhimisht, Kushtetuesja ka kërkuar që Kuvendi të përfundojë seancën duke zgjedhur përfaqësuesit e këtyre posteve në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës, si dhe në pajtim me këtë Aktgjykim.

Teksti i plotë i Aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve. Gjithashtu, ai do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në fillim të javës së ardhshme.

Top Channel