Boshatiset tregu i ish-Uzinës Dinamo

22/08/2014 00:00

Tregu i ish-Uzinës Dinamo nuk po furnizohet më me produkte duke bërë fakt të kryer zhvendosjen e tregtarëve në tregun e ri të ndërtuar në Kashar.

Tregtarët shprehen të revoltuar dhe thonë se në tregun tjetër nuk ka vend të mjaftueshëm për ta.

“Është ngritur shteti për të mbrojtur një klient X të tregut tjetër. Duan të ndërtojnë monopol. Mund të shihni tek tregu tjetër çfarë katrahure është, çfarë higjienë është, çfarë rrugësh janë, çfarë sjellje e stafit të tyre është”, thonë tregtarët.

Tregtarët thonë se ata ishin vetëpunësuar duke shitur produkte bujqësore e tashmë as kjo nuk po u lejohet. Sipas llogarive të tyre bëhet fjalë për 5 mijë tregtarë të cilët kanë paguar detyrime rregullisht ndaj shtetit.

Tashmë përveç tregtarëve të shumicës, as ata që tregtonin me pakicë nuk kanë më produkte të mbetura për t’u shitur.

Policia e Shtetit po zbaton një vendim të dalë nga Task Forca e cila u ngrit nga Prefektura, AKU dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës ku për herë të parë ranë dakort dy institucione që i përkasin forcave të ndryshme politike.

Top Channel