Mbyllja e 18 institucioneve të arsimit të lartë ka nxjerrë në pah qindra mijëra diploma, të cilat janë të jashtëligjshme e, si të tilla, edhe të pavlera për Ministrinë e Arsimit.

Në të tre institucionet e arsimit të lartë, “Gjon Buzuku”, “Medicom”, por edhe “Nëna Mbretëreshë Gerdaldinë”, janë konstatuar shkelje, të cilat do të rëndojnë mbi qindra studentë të diplomuar aty.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca, tha se në pjesën më të madhe të regjistrave themeltarë mungojnë elementët e sigurisë, si dhe një pjesë e studentëve janë regjistruar në programe të palicencuara më parë nga Ministria e Arsimit.

“Janë deklaruar të dhëna të rreme, të pasakta, pranë institucioneve zyrtare shtetërore. Nuk janë raportuar në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve sipas kërkesave të aktit ligjor në fuqi. Institucioni, në harkun kohor të 4 muajve, ka deklaruar të dhëna të ndryshme për numrin total të studentëve që disponon. Në Janar deklarojnë 136 studentë, ndërsa në Prill deklarohet 300 numri i studentëve. IAL ka diplomuar studentë para akreditimit të programit të studimit Bachelor në Infermieri dhe Mësuesi, Cikli i Ulët. Institucioni ka diplomuar studentë përpara datës së akreditimit, në disa programe studimi që ka hapur në kundërshtim me nenin 25, pika 1 dhe 62, pika 3 e arsimit të lartë, ku parashikohet se çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat përpara lëshimit të diplomave të para i nënshtrohet procesit të akreditimit”, u shpreh Plarent Ndreca.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit tha se licenca iu është hequr edhe tre institucioneve, që gjatë viteve të fundit nuk kanë pasur studentë.

“Nga të gjithë institucionet e arsimit të lartë, të cilëve iu është hequr licenca nga Këshilli i Ministrave, janë 3 institucione të cilëve iu është hequr licenca për shkak se është konstatuar mosfunksionimi i tyre, apo vetëmbyllja e tyre. Këto janë “Akademia e Ndërtimit të Tiranës”, institucioni i lartë “Elitë” dhe “Justiniani i Parë”. Këtyre iu është konstatuar mbyllja e aktivitetit”, deklaroi më tej Ndreca.

Në këto institucione, trupa pedagogjike ka qenë jo e kualifikuar sipas kritereve ligjore dhe, në shumë raste, janë konstatuar abuzime të mëdha, për të cilat përfaqësuesve ligjorë do t’u duhet të përballen penalisht.

Top Channel