Rikthehet vëmendja tek Ukraina

22/08/2014 00:00

Situata e Ukrainës është rikthyer në vëmendje pasi për javë të tëra u la në hije prej konfliktit në Gaza apo përparimit të shpejtë të militantëve të ISIS-it në Irak.

Dy nisma të shpejta dhe në nivelin më të lartë mbahen këto ditë me qëllim zgjidhjen e ngërçit disa mujor të vendit. Të shtunën, kancelarja gjermane Angela Merkel pritet të mbërrijë në Kiev ku dëshiron të flasë me Presidentin Poroshenko dhe kryeministrin Jatsenjuk.

Kjo do të përbente të herën e parë që prej fillimit të krizës që Merkel shkon në Ukrainë. Vizita e kancelares përkon edhe me përvjetorin e 75-të të paktit Hitler-Stalin. Të martën nga ana tjetër takohen në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk, presidentët e dy palëve në konflikt, Vladimir Putin dhe Petro Poroshenko.

Për herë të fundit ata folën me njëri-tjetrin në fillim të qershorit në Francë. Në Minsk do të marrin pjesë në takim edhe përfaqësuesit e Bashkimit Doganor Euro-aziatik të përbërë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani dhe për Bashkimin Europian përfaqësuesja e jashtme Ashton e komisioneri për tregtinë De Gucht.

Konferenca e Minskut është një lloj sensacioni i vogël, sepse në Ukrainën Lindore po ashpërsohen luftimet. Ekspertët nuk presin përparim të ndjeshëm prej këtij takimi, por konsiderojnë me rëndësi faktin që kanalet e komunikimit të mbeten të hapura.

Mëdyshjet e tyre lidhen edhe me idetë e ndryshme me të cilat shkojnë në kryeqytetin bjellorus dy liderët në fjalë: Poroshenko dëshiron  “stabilizimin e gjendjes” në Ukrainën Lindore, ndersa Putini do të përqendrohet tek përkeqësimi i situatës humanitare atje.

Por në Kiev dhe Bruksel shumë dyshojnë se shefi i Kremlinit e përdor një argument të tillë vetëm si pretekst për të ndërhyrë në lindje të Ukrainës, e ndoshta edhe për ta pushtuar atë.

Top Channel