Gaza, ekzekutohen 18 “bashkëpunëtorë” të Izraelit

22/08/2014 00:00

Njerëz të armatosur, të udhëhequr nga Hamasi në Gaza, kanë ekzekutuar këtë të premte 18 palestinezë të akuzuar si bashkëpunëtorë të Izraelit, një ditë pasi forcat izraelite vranë 3 komandantë të Hamasit, të cilësuar si liderët më të lartë që kanë humbur jetën në luftën 6-javore.

Militantë të maskuar dhe të veshur me të zeza qëlluan për vdekje 7 prej të dënuarve, fytyrat e të cilëve ishin të mbuluara dhe duart e lidhura, përpara besimtarëve që po dilnin nga xhamia Omari në sheshin “Palestina”, në atë që konsiderohet si ekzekutimi i parë publik në këtë enklavë që prej viteve ’90.

Më pas, 11 të tjerë u vranë në një stacion policor të braktisur pranë qytetit të Gazës, bëri të ditur një zyrtar i sigurisë së Hamasit. “Rezistenca ka nisur një operacion të quajtur ‘këputje qafash’, duke shënjestruar bashkëpunëtorët që ndihmuan në pushtimin izraelit, vranë njerëzit tanë dhe shkatërruan shtëpitë tona”, tha Al-Majd, një uebsajt i kontrolluar prej shërbimi i brendshëm i sigurisë së Hamasit.

Një letër e ashtuquajtur dënimi, e nënshkruar nga “Rezistenca Palestineze” është postuar në një mur, ku kanë hedhur edhe trupat e të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të Izraelit. Në njoftim lexohet:

“Ata ndihmuan armikun me informacione rreth vendndodhjes së luftëtarëve, tuneleve të rezistencës, bombave, shtëpive të luftëtarëve dhe vendeve të raketave, ndërsa okupatori bombardoi këto zona, duke vrarë disa luftëtarë. Ndaj, ligji i drejtësisë revolucionare është zbatuar ndaj tyre”.

Dy prej trupave të 11 bashkëpunëtorëve të dyshuar, të qëlluar për vdekje, u panë të ngarkoheshin në një ambulancë, përpara se gazetarëve të Reuters t’iu kërkohej largimi nga vendngjarja.

Top Channel