Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i është dorëzuar të premten Prokurorisë Speciale të Kosovës, në të cilën shumica e prokurorëve janë nga EULEX-i. Këtë e konfirmoi për Top Channel zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliç Solomon.

“Eulexi mund të konfirmojë që, sot, G.G., i dyshuari në një hetim për vrasje që po zhvillohet nga Policia e Kosovës, është dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës ekzekutoi urdhrin e arrestit lëshuar nga zyra e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Prokuroria Speciale është duke punuar ngushtë me zyrën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Policinë e Kosovës”, tha zëdhënësja e Eulexit, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike.

Gani Geci ndodhej në arrati që nga data 4 Gusht. Ndonëse familjarët e tij thonin se Geci është larguar nga Kosova, me arsyetimin se nuk iu beson autoriteteve kosovare, ka qenë ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se Geci është brenda territorit të Kosovës.

Gani Geci dyshohet se qëlloi me armë zjarri për vdekje, bashkëvendasin e tij Ruzhdi Shaqiri, në qytetin e Skënderajt.

Top Channel