Xhihadistja britanike e ISIS

22/08/2014 00:00

“Dua të jem e para grua, që i merr jetën një perëndimori”. Khadijah Dare është vetëm 22 vjeç, por komentet e vajzës në profilin e saj në Twitter janë dëshmi e një egërsie dhe urrejtjeje të madhe.

Khadijah, sipas raporteve në media me origjinë nga Londra, lartëson ekzekutimin e James Foleyt dhe përdor si foto kryesore të faqes së vet atë të një fëmije me kallashnikov në dorë. Nuk është e vetmja femër, që lufton në radhët e ISIS-it, por konsiderohet një nga më të pamëshirshmet.

Në rrjetin social, 22-vjeçarja pohon dëshirën e madhe për t’u kthyer në të parën grua xhihadiste, që vret një britanik apo një amerikan, edhe pse vetë vjen nga lagjia jugore e Londrës, Lewisham.

Sipas të përditshmeve britanike, Khadijah ka mbërritur në Siri në 2012-n, në krah të bashkëshortit me prejardhje turke (por që vjen nga Suedia), edhe ai luftëtar i Shtetit Islamik. Fëmija me kallashnikov në dorë mund të jetë i biri 4 vjeç.

Më pas, në profilin e xhihadistes vjen dhe një mesazh paralajmërimi: “Të gjithë qentë gazetarë, që kërkojnë kocka, këtu do gjejnë fundin e rrugës së tyre”.

Kjo vajzë e re ka pushtuar orët e fundit vëmendjen e opinionit publik në Britani; ajo mishëron “xhihadin” brenda shtëpisë, i cili është edhe më i frikshëm se ai jashtë kufijve, që duket shumë i largët.

Edhe vet profili i saj në Twitter është tipik i luftëtarëve të huaj, të rinj e të arsimuar në Perëndim. Ka shumë mundësi, që 22-vjeçarja të kishte frekuentuar në Londër një qendër islamike në lagjen e vet, thonë mediat e huaja, pas konvertimit në fenë islame në vitet e adoleshencës.

Në ndërhyrjet që bën në rrjet, ajo fton edhe gra të tjera t’i bashkohen ISIS-it, ndërsa lavdëron vrasjen e një siriani të akuzuar për përdhunim, ndonëse të njëjtin veprim barbar e bëjnë dhe vëllezërit e saj të luftës, me të burgosurat e tyre.

Top Channel