Në pikalimin e Merdarës u bë dorëzimi i 16 mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.  Dorëzimi i tyre nga ky vend irritoi familjarët, të cilët kishin dalë për t’i pritur ata.

Të paktë ishin familjarët që kishin dalë për t’i pritur të dashurit e tyre.

Edhe ata që kishin ardhur nuk arritën të marrin informacione nëse familjarët e tyre ishin në këtë furgon me 16 trupa viktimash të luftës. Ajo që dihet është se viktimat janë nga komuna e Skënderajt përkatësisht nga fshati Rezall dhe Cikatov.  

“Nuk po kërkojmë mëshirë, por të respektohen të drejtat. Kam ardhur këtu të gjej babanë, por edhe fshatarët. Fajin e ka qeveria dhe popullata”, tha një prej familjarëve të viktimave.

“Jam shumë i zhgënjyer për lajmërimin. Të gjithë familjarët janë duke pritur në Rezall se çfarë do të bëjmë ne sot”, tha një tjetër familjar.

Të pakënaqur me pritjen u shprehen edhe zyrtarët qeveritar të cilët merren me këtë çështje.
“Së pari është dashur të gjendeshin familjet, më pas janë dashur arkat, pasi nuk është mall që konsumohet, por janë eshtra të viktimave të luftës. Është dashur një ceremoni nderuese”, u shpreh Prenk Gjetaj, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur.

“Përveç brengosjes 15-vjeçare, sot e ka rënduar sikur me qenë 500 vjet. Kur kthehen trupat dhe nuk e di familja. Kur kemi edhe 1712 vetë të pagjetur është gjynah”, tha Bajram Cerkini, përfaqësues i personave të pagjetur.

“Nuk e di ku është kufiri i dinjitetit. Unë kam ardhur këtu t’i shpreh nderimet në mënyrën më të dinjitetshme në emër të delegacionit të Republikës së Kosovës”, tha Pajazit Nushi, kryetar i Komisionit Qeveritar të Kosovës.

Pala serbe paralajmëron se në shtator do të dorëzohen edhe 24 mbetje mortore. Ky numër  mund të ndryshojë, varësisht prej identifikimeve dhe kompletimit të eshtrave. Ndërkohë theksojnë se çështje protokollare është çështje e dytë.

“Është puna jone të zgjidhim çështjet protokollare, apo se në çfarë mënyre të dorëzohen mbetjet. Në këtë mënyrë i komplikojmë proceduarat e dorëzimit dhe zgjasim ankthin te familjet, të cilat presin me vite familjarët e tyre. Mjaft kanë vuajtur dhe në nuk jemi të interesuar që t’ju zgjasim dhimbjen por t’ju kthejmë trupat, deklaroi Veljko Odalovic, shefi i delegacionit serb në grupin e punës për personat e pagjetur.

Me këtë rast pala kosovare pranoi edhe materiale dëshmuese dhe dokumente tjera.  Mbetjet mortore nga Merdara u dërguan në selinë e Departamentit të Mjekësisë Ligjore  në Prishtinë, ku do të kryhet procesi i identifikimit.  Përveç punës identifikuese, një numër i pjesëve duhet të ri-bashkohen me disa prej mbetjeve mortore.

Pasi të ketë përfunduar tërë kjo punë, mbetjet mortore do t’u dorëzohen familjëve me ndihmën e Komisionit për Personat e Pagjetur.

Shefi i Departametit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu megjithëse është tërhequr nga Komisioni, ai ka bërë të ditur se do të jetë i pranishëm edhe në trasferimin tjetër që do të ndodh në fillim të shtatorit.

“Kjo është punë e imja dhe unë jam për hir të këtyre viktimave. Ne kimi punuar bashkë me ekipin dhe të gjithë kolegët që kanë qenë pjesë e Rashkës kanë ardhur sepse një punë që e filloj dua ta përfundojë deri në fund”, tha Gerxhali.

Deri më tani, DML i ka kryer 456 operacione në terren, gjatë të cilave mbetjet mortore të 413 personave u janë dorëzuar familjeve të tyre. Prej tyre, 315 ndodheshin në listën e personave të pagjetur.

Top Channel