Kamionët rusë zemërojnë Perëndimin

23/08/2014 00:00

Vendimi i Rusisë për të dërguar mbi 100 kamionë në Ukrainën lindore pa miratimin zyrtar të Kievit ka shkaktuar zemërim në Perëndim.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, që sot mbërriti në vendin e trazuar prej muajsh, e cilësoi kalimin e paautorizuar të autokolonës me ndihma si “një përshkallëzim të rrezikshëm” të situatës.

Merkel pati një telefonatë me presidentin amerikan Barack Obama mbi këtë çështje dhe shefi i Shtëpisë së Bardhë ndau të njëjtin mendim me të. Të dy liderët konsiderojnë se dërgimi i kamionëve në të tilla kushte përbën një provokim dhe një shkelje të sovranitetit e integritetit territorial të Ukrainës.

“Prania e ushtarëve rusë në vendin fqinj, grumbullimi i trupave në kufi dhe bombardimet në Ukrainë nga ana tjetër e kufirit e kanë tensionuar situatën e për këtë përgjegjëse është Moska”, vlerësuan ata. Obama dhe Merkel ndanë gjithashtu bindjen se Rusia duhet ta kthejë menjëherë mbrapsht autokolonën e të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.

Dhe vizita e Merkel duket se ka influencuar tek autoritetet moskovite, pasi kamionët rusë kanë filluar të tërhiqen, duke u kthyer mbrapsht për në kufirin që ndan Ukrainën me Rusinë.

Një ditë më parë, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby deklaroi se Rusia nuk mund të përdorë një autokolonë me ndihma humanitare si justifikim për të kaluar kufirin në mënyrë të paautorizuar. “Rreth 10 mijë trupa ruse të stacionuara në kufirin ukrainas janë shumë të gatshme e shumë të afta për të ndërhyrë”, shtoi ai.

Veprimi i Moskës u dënua edhe nga NATO. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut e cilësoi këtë lëvizje një “pushtim të drejtpërdrejtë” të territorit të Ukrainës, duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme te presidentit ukrainas Petro Poroshenko.

“Kamionët hynë pa miratimin e qeverisë ukrainase e të pashoqëruar nga komiteti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Një zhvillim i tillë vetëm sa e thellon krizën në rajon dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëllimin e kësaj autokolone. A synon ajo vërtet ndihmën për civilët, apo kërkon riarmatosjen e separatistëve”, deklaroi Anders Fogh Rasmussen.

Numri një i NATO-s shtoi gjithashtu se ushtria ruse ka lëvizur njësi artilerie të drejtuara nga personel rus brenda territorit të Ukrainës dhe po i përdor ato për të hapur zjarr kundër forcave qeveritare, dëshmia e parë kjo e përfshirjes së drejtpërdrejtë të ushtrisë ruse në konflikt.

Top Channel