Sërish armë ndaj policisë në Dukagjin

23/08/2014 00:00

Në ditën e tretë të operacionit masiv anti-kanabis në zonën e Dukagjinit është hapur sërish zjarr ndaj forcave të policise në komunën Pult, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Policia bën të ditur se janë identifikuar përsonat që po qëllojnë  me armë zjarri si dhe është vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë euro për ata që japin informacion për kapjen e tyre.

Sipas policise përsonat që po qëllojnë janë një grup prej 10 personash të identifikuar nga komuna Pult e Dukagjinit Besnard Bungaja, Gjin Guri, Lekë Thani, Nikollë Shpati, Palë Dushku, Gegë Kola, Mentor Bungaja, Pëllumb Dushku, Nikë Tonaj dhe Kolë Bungaja.

Përsonat në fjalë janë shpallur në kërkim nga policia dhe aktualisht forcat RENEA janë duke kryer disa aksione në zonat ku dyshohet se ndodhen ata.

Në të njëjten kohë policia ka thirrur për të bashkëpunuar kryetarin e Komunës Pult dhe familjarët e përsonave që po qëllojnë, me qëllim bindjen e këtyre të fundit për t’u dorëzuar.

Gjatë operacionit anati-kanabis në zonën e Dukagjinit janë asgjesuar  rreth 41 mijë rrënjë kanabis sativa, ndërkohë që vazhdon asgjesimi i dhjetra  parcelave.

Një ditë më parë Policia e Shtetit vendosi të ndryshojë stratëgjinë e operacionit anti-kanabis në Veri të vendit nisur nga kundërshtimi me armë i disa prej banorëve duke përdorur skemën e Lazaratit.

Duke konsideruar terrenin tejet të vështirë dhe duke marrë parasysh sulmin që po i bëhet me armë, në veri të vendit u dërguan forca shtesë për të kryer një operacion më të madh nga çfarë ishte menduar më parë.

Mendohet që e gjithë zonat ku është identifikuar nga ajri që ka të mbjella me kanabis sativa do të rrethohet nga forcat speciale policore dhe me pas do të fillojë shkatërrimi i tyre.

Policia mendon se do të ndërmarrë të njëjtat veprime si në Lazarat duke qenë se në operacionin e fundit pati sukses, ndërsa konfirmon se nuk do të ketë tërheqje edhe pse është kundërshtuar me armë.

Tahiri: Aksioni ynë s’ndalet
Paralajmërimi i Didit: Kujdes, edhe policia do qëllojë

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte në Shkodër ku prej tre ditësh policia po zhvillon operacionin masiv në zonen e Dukagjinit për asgjesimin e bimëve narkotike.

Ministri Tahiri zhvilloi një takim pune në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër me drejtuesit lokalë, në lidhje me ecurinë e aksioneve anti-drogë në zonat e thella malore të Shkodrës.

“Ne jemi të vendosur që këtë operacion ta mbyllim me sukses dhe që luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës ta çojmë deri në fund. Kemi trashëguar një Shqipëri të mbjellë çdo pëllëmbë me drogë dhe jemi të vendosur ta pastrojmë vendin nga zaptimi i çdo hapësire të mbjellë me lëndë narkotike. Po i japim fund praktikës që e njihte Shqipërinë botërisht si vendi i lulëzimit të marijuanës”, deklaroi Tahiri.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë, Artan Didi u shpreh se deri tani janë asgjesuar rreth 45 mijë rrënjë kanabis dhe paralajmëroi se, nëse do ketë të shtëna me armë policia do të përgjigjet. Didi u shpreh se operacioni në Dukagjin ka qenë më i vështirë se në Lazart për shkak të terrenit të thyer malor.

“Persona të arrestuar nuk kemi ende, por kemi të dyshuar ndaj të cilëve kemi nisur proçedim policor dhe po bashkëpunojmë me prokurorinë për atë penal. Veç të shtënave nuk ka pasur problem tjetër, operacioni do të vazhdojë në çdo komunë”, tha Didi.

Operacioni i policisë në zonën e Dukagjinit është aksioni me i madh që ka zhvilluar Policia e Shtetit pas ndërhyrjes në Lazrat. Aktualisht në Dukagjin janë duke operuar rreth 160 forca policie si dhe grupe të FNSH-së dhe RENEA-s, me mbulim nga ajri nga tre helikopterë.

Korçë, sekuestrohen 40 pako me kanabis

Të paktën 40 pako me lëndë narkotike janë kapur pasditen e së shtunës në jug-lindje të vendit gjatë një operacioni policor, ndërsa një person ka përfunduar në pranga.

Sipas të dhënave zyrtare, strukturat e anti-krimit të organizuar pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “Morava”, ku si rezultat u bë kapja në flagrancë e shtetasit Kastriot Harizaj, 48 vjeç, banues Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Korçe-Bilisht, pasi në automjetin tip “Volvo”, me targë “AA 721 IR” me te cilin 48-vjeçari po udhëtonte u gjetën dhe sekuestruan 40 pako lëndë narkotike e dyshuar si kannabis sativa. 

Top Channel