Rrezik për një tjetër masakër në Irak

23/08/2014 00:00

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar alarmin për të shmangur një tjetër masakër në Irak.

I dërguari i posaçëm i OKB, Nickolay Mladenov tha se ndjehej i tronditur nga raportimet mbi gjendjen e banorëve në qytetin verior të Amerlit.

Qyteti mbahet i rrethuar nga ISIS prej dy muajsh, mungon energjia elektrike, uji i pijshëm dhe rezervat ushqimore dhe mjekësore janë drejt përfundimit. Shumica e banorëve të këtij qyteti janë shiitë, që shihen si kundërshtarë nga ISIS.

“Situata e banorëve të Amerilit është tragjike dhe kërkon veprime të menjëherëshme për të parandaluar ndonjë masakër të mundshme ndaj tyre. I kërkoj qeverisë së Irakut që të bëjë gjithçka është e mundur për të hequr rrethimin dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtij qyteti ”, deklaron Mladenov.

Kleriku më i lartë shiitë në Irak, Ajatollahu Ali al-Sistani lëshoi alarmin ditën e premte dhe shprehu shqetësim për fatin e banorëve të këtij qyteti.

Banorët thonë se janë vetëorganizuar kundër ISIS dhe prej dy muajsh janë duke luftuar kundër ekstremistëve dhe megjithë humbjet e mëdha kanë arritur t’i mbajnë jashtë qytetit.

Amerli është një qytet me disa mijëra banorë që ndodhet pranë kufirit të Republikës Autonome Kurde.

Top Channel