Braçe: Fullani refuzon Kuvendin

23/08/2014 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka refuzuar të japë informacion për Komisionin e Ekonomisë në Kuvend lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe thotë se ditën e hënë i ka kërkuar zyrtarisht Guvernatorit Fullani të japë informacion lidhur me çështjen e bankës, raportet e grupeve të punës dhe auditit të brendshëm për 4 vitet e fundit, por edhe nepotizmin, klientelizmin, rritjen e shpenzimeve për personelin, rritjen e shpenzimeve të përgjithshme, kontratat e përfolura të investimeve.

“Ne lamë një javë kohë për këtë. Java zyrtare ka mbaruar dje; Guvernatori refuzon të dorëzojë në Kuvend këtë informacion”, shkruan Braçe.

Më tej deputeti socialist sqaron se informacioni është pjesë e një dosje të plotë që po përgatitet për çdo deputet para se të nisin seancat dëgjimore publike me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës dhe Guvernatorin në Komisionin e Ekonomisë.

“Guvernatori këtë po e pengon dhe ky është faj i rëndë. Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e ka detyrë kushtetuese mbikqyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe do ta bëjë këtë detyrë pavarësisht pengesave institucionale të Guvernatorit. Po kërkojmë atë që Këshilli e Guvernatori nuk duan të marrin përsipër për një mori shkeljesh serioze në funksionimin e Bankës së Shqipërisë: Përgjegjësinë Administrative. Është shumë e qartë kjo, për Guvernatorin, Këshillin Mbikqyrës, Inspektorin. Vjedhja në bankë nuk mbyllet pse do Guvernatori apo këshilli i tij. Vjedhja si çështje do të mbyllet bashkë me përgjegjësitë dhe ndryshimet ligjore që çlirojnë bankën nga politika, interesat, korrupsioni, nepotizmi duke e rikthyer të fortë e të pavarur, transparente, të kontrollueshme e funksionale”, përfundon Braçe.

Top Channel