Alternativa e altertekstit

23/08/2014 00:00

Nga Artan Mullaj – Në disa artikuj për librin shkollor, kam theksuar nevojën e ngutshme të shkuljes rrënjësore të ALTERTEKSTIT nga sistemi arsimor, për shkak të degradimit pa kthim mbrapa të tij. Në këto shkrime jam përpjekur të shpjegoj se përse Alterteksti, si një sistem i korruptuar, presionesh, pazaresh dhe interesash të fuqishme, është shndërruar në një virus të rrezikshëm dhe duhet të mbyllet. Ky perceptim imi është shoqëruar me reagime të ndryshme. Disa thonë që Alterteksti nuk mund të zhbëhet, sepse mbështetet nga “baronët” dhe “vezirët” e këtij vendi, të tjerë, ngulin këmbë se ideja për ta shkulur është një marrëzi, ngaqë shteti shqiptar është shumë i dobët dhe nuk mund të konkurrojë dhe të prodhojë një libër shkollor më të mirë se shtëpitë botuese private, që aktualisht prodhojnë librin shkollor në Shqipëri. Të tjerë thonë se iniciativa e Kryeministrit Rama është jetëshkurtër, pasi qeveria aktualisht nuk ka një alternativë më të mirë.

Në një vëmendje, disa kanë të drejtë. Shteti nuk është gati të konkurrojë Altertekstin me mundësitë dhe strukturat që ka. Por qeveria mund të krijojë një alternativë më të mirë se Alterteksti, duke krijuar organet dhe strukturat e nevojshme për këtë gjë.

***

Për organizimin e përgjithshëm, ndjekjen e arsimit dhe prodhimin e tekstit shkollor, është e nevojshme të krijohet një organ i ri: “Instituti i Politikave Arsimore” (IPA), si një subjekt juridik i pavarur.

Që të mund të prodhojë librin më të mirë shkollor, shteti duhet të iniciojë më së pari krijimin e një strukture të tillë. Ndërkohë që Kryeministri Rama ka shpallur mbylljen në perspektivë të Altertekstit, krijimi i kësaj strukture, deri tani të munguar, është kusht i domosdoshëm që ky premtim i rëndësishëm publik të realizohet.

Instituti IPA do të veprojë në interes të publikut, si strategu shkencor i politikave arsimore, i mbështetur nga Ministria e Arsimit. Qëllimet kryesore të IPA-s do të jenë: kërkimi shkencor dhe çështjet që lidhen me arsimin fillor dhe të mesëm, kalimi i studiuar nga arsimi i mesëm në arsimin universitar, arsimi profesional dhe mbështetja e vazhdueshme teknike për hartimin dhe zbatimin e politikave të arsimit në këto çështje. Dhe natyrisht, një nga misionet kryesore të këtij institucioni duhet të jetë prodhimi i tekstit.

***

Librat shkollorë do të shkruhen nga profesorë universitarë të disiplinave të ndryshme. Thirrjen për shprehje interesi nga ana e autorëve që shkruajnë librin, e bën pikërisht ky institucion, IPA.

IPA përzgjedh autorin ose grupin e autorëve, sipas një procedure të paracaktuar dhe mirëstudiuar. Për shembull, për tekstin e historisë. IPA jep komandën për të shkruar tekstin e Historisë për klasën A. Pasi e përzgjedh autorin, IPA nënshkruan një kontratë me të. Autori duhet ta shkruajë dhe dorëzojë librin në IPA brenda një kohe të caktuar, zakonisht 6 deri në 9 muaj. Nëpërmjet një komisioni të ngritur nga IPA, bëhet vlerësimi i cilësisë pedagogjike dhe historike, i saktësisë dhe objektivitetit, si edhe i përshtatshmërisë me nivelin dhe kurrikulat mësimore të MAS, të këtij libri. Pas kësaj, duke paguar sipas kontratës autorin, teksti i Historisë merret për botim në formë elektronike, për t’i kaluar Agjencisë Publike të Botimeve, APB. Kjo agjenci do të botojë dhe shpërndajë libra në kohën e duhur, në sasinë e duhur dhe cilësinë e duhur për të gjitha shkollat e vendit çdo vit.

Në Shqipëri aktualisht ekziston një ent shtetëror i botimeve shkollore. Është BOTEM që boton vetëm tekstet e arsimit profesional parauniversitar dhe tekstet për shkollat e minoriteteve. Ky ent botues mund dhe duhet të riformatohet në formën e një agjencie botimesh publike dhe të quhet, Agjencia Publike e Botimit të Librit Shkollor, APB, e cila do të jetë zotëruesja e vetme publike e teksteve shkollore.

Paralelisht, kjo agjenci do të krijojë edhe softwear-in arsimor të të gjithë librave, të vendosur nëpërmjet një platforme arsimore të së ardhmes dhe do të përgatisë kushtet e shkollës dixhitale.

Libri pra i jepet Agjencisë Publike të Botimeve të Librave Shkollorë -APB, nga Instituti për Politika Arsimore, IPA, i cili rekomandon saktësisht, bazuar në studime dhe të dhënat statistikore, edhe tirazhin e nevojshëm sipas kërkesave që kanë shkollat e Republikës së Shqipërisë dhe diaspora.

(Vetëm pas krijimit të këtyre dy organeve, qeveria do të mund të fillojë të çmontojë Altertekstin).

Agjencia Publike e Botimit të Librave Arsimorë mund të shtypë tekstin në shtypshkronjën e saj, (që është shtypshkronja kombëtare) ose t’ua besojë këtë proces shtypshkronjave private me kontratën përkatëse.

Sipas kësaj alternative pra, të gjitha tekstet shkollore në aspektin e të drejtave duhet t’i përkasin shtetit. Rinovimi i të njëjtit tekst bëhet me vendim të posaçëm të IPA-s, një herë në disa vjet.

Letrën dhe materialet e nevojshme APB i siguron duke iniciuar tenderë ndërkombëtarë, nëpërmjet procedurash transparente, për sasi të konsiderueshme, me synimin për të siguruar çmimet më të ulëta të lëndës së parë të shtypit dhe cilësi më të lartë të botimit.

Agjencia Publike e Botimit të Librave Arsimorë duhet të prodhojë miliona kopje librash për t’i shpërndarë më pas në të gjitha shkollat e vendit. Kjo agjenci botimi do të ketë produktivitet të lartë dhe kosto mjaft të ulët të prodhimit të librave shkollorë, çka do të lehtësojë barrën financiare të qytetarëve dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në imazhin publik të qeverisë.

Veç kësaj, Agjencia APB do të mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme në arkën e shtetit.

Të dyja këto institucione, IPB dhe APB, do të “zhbëjnë” ALTERTEKSTIN, dhe për shkak të rëndësisë që kanë, mund të vihen në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit të vendit.

Top Channel