“Nishani, jo garant i unitetit kombëtar”

23/08/2014 00:00

Një ditë pas kthimit të një tjetër ligji, atë për reformën administrative nga presidenti Bujar Nishani, nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani thotë se kreu i shtetit ka humbur atributet e dhëna nga Kushtetuta si garant i unitetit kombëtar.

“Neni 86 i Kushtetutës ka një paragraf të parë dhe një pikë të parë që thotë: presidenti është kryetar i shtetit për unitetin e popullit. Nëse këtë thënie e vendosim në sjelljet publike të Nishanit, atëherë mund të shohim se është difektoz. Nishani nuk është kryetar shteti, ka një shtet paralel që është shteti i PD. Nishani nuk përfaqëson dot unitetin e shtetit shqiptar. Me sjelljen e tij ai përfaqëson përçarjen dhe tregon që ka qenë dhe është anëtar i kryesisë së PD”, deklaron Manjani.

Gjatë intervsitës për Top-Channel, Ylli Manjani komenton arsyet që qëndrojnë prapa refuzimeve en-block të Nishanit të çdo ligji të aprovuar në Parlament.

“Këtu nuk bëhet fjalë për dy apo tre dekrete, por qëndrimet e tij që janë kompromentuese. Kë president të besojmë, atë që thotë publikisht se gjyqtarët marrin zarfe, apo atë president që i mbron këta gjyqtarë. Kjo sjellje motivohet politikisht dhe nuk e bën zotin Nishani kryetar shteti”, thekson Manjani.

Pyetjes se, si e shpjegoni heshtjen e Nishanit përpallë superskandalit të vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, nënkryetari i LSI jep këtë përgjigje:

“Është i motivuar politikisht. Është e pakuptueshme që presidenti i Republikës, kur është fjala për ruajtjen e institucioneve të pavarura që i dekreton vetë, bëhet bishë. Dhe kur është fjala për t’u distancuar nga këto skandale me sjellje publike, presidenti hesht. S’ka kuptim që partitë politike të flasin për skandalin e bankës para se të falsë presidenti”, thotë Manjani.

Top Channel