PD vijon denoncimin e emërimeve

23/08/2014 00:00

Partia Demokratike vijoi të shtunën me denoncimet për emërimet në administratë. Deputeti Flamur Noka akuzoi kryeministrin Rama se i ka besuar lojrat e fatit një personi të arrestuar në Turqi për trafikun e heroinës.

“Nalton Jaçaj ishte tregtar dhe në vitin 2009 në Stabmoll kishte kërkuar 200 kg heroinë. Kapja e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tij ka qenë lajm i bujshëm i asaj kohe, u pasqyrua në mediat tona, por dhe nga ato turke”, deklaroi Noka.

Ndërkohë, koordinatori Ervin Saljanji denoncoi në një fshat të Himarës rivendosjen e parullave për diktatorin Enver Hoxha, pikërisht në ditën ndërkombëtare të viktimave të komunizmit dhe akuzoi Ramën, Metën dhe Kokdhimën.

“Tërë ky investim bëhet nga kryeministri dhe deputeti i kësaj zone që është Koço Kokëdhima. Shoku Edi Rama dhe kryeministri i jugut Koço Kokëdhima investojnë në këtë mënyrë paratë e partisë-shtet. I bëjmë thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndalojë këto parulla që po përhap në gjithë tregun e jugut”, deklaroi Saljanji.

Top Channel