Tregtarët e ish-uzinës Dinamo vazhdojnë të këmbëngulin për të mos u larguar nga tregu edhe pse nuk po marrin furnizim prej katër ditësh.

Ndërkohë që në tregun e ri tashmë tregtarë të shumicës që janë zhvendosur atje kanë nisur punën. Ata thonë se kushtet janë më të mira, por ankohen për qeranë.

“Kam rreth 5 ditë që kam ardhur këtu. Është i njëjti intensitet pune, të paktën për mua që punoj me mallra vendi. Nuk mund të them që e mirëprita këtë zhvendosje, por mund të them se neve na kanë detyruar. Qeraja është shumë e lartë”, thotë një tregtare.

“Kam tre ditë që punoj këtu. Është si një shtëpi e re dhe duhet të stabilizohet tregu. Por neve na detyruan, na detyroi shteti të vinim këtu. Për momentin ndonjë xhiro të madhe nuk ka, për na një javë kjo punë do të jetë”, shprehet një tjetër.

Përveç produkteve bujqësore në këtë treg janë zhvendosur edhe ata që shesin produkete të tjera ushqimore dhe që u larguan një vit më parë nga uzina Dinamo.

“Kemi një vit e gjysmë që jemi këtu. Kemi ardhur me mendimin se këtu do bëhej një treg me kushte të përshtatshme. Magazina është e rregulluar, të gjitha janë me sistem kontrolli, mëse e organizuar”, thotë një tregtar.

“Ne e pamë që tregu po lëvizte dhe kur u bë tentativa e parë për të ardhur këtu poshtë, ne erdhëm dhe zumë vendi si të gjithë të tjerët. Këtu ka më shumë kushte, më komoditet”, thotë një tjetër.

Tregtarët thonë se çdo ditë ka nga ata që zhvendosen në tregun e ri, madje tashmë edhe vendet janë të limituara. Por sipas tyre, u është premtuar se tregu do të zgjerohet me të tjera ambjente duke shtuar numrin e kapanoneve.

Top Channel