PD, protestë për skandalin seksual

23/08/2014 00:00

Partia Demokratike protestoi para zyrës së Partisë Socialiste në Sarandë, prej nga u kërkua favor seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune. Opozita e konsideron këtë rast një skenë krimi dhe një provë, se si mazhoranca e sotme po krijon sistemin e partisë-shtet, larg funksionimit të shtetit ligjor demokratik.

“Jemi sot këtu, për t’iu bashkangjitur shqetësimit të qytetarëve të Sarandës dhe për t’i thënë edhe njëherë tjetër kryeministrit, që ngjarja e skandalit seksual, ku janë përfshirë oligarkët në veprim, oligarkët e tij lokalë; për ne, për shoqërinë shqiptare është një ngjarje, e cila nuk mund të kalohet me një cicërimë në Twitter. Për ne, kjo është skenë krimi. Ministri i papunësisë dhe i dramave sociale, i cili është tellalli i kryeministrit, nuk mund të dalë dhe të shajë opozitën. Qytetarët kërkojnë punë, ai u ofron shifra. Qytetarët shkojnë në zyrat e punësimit, këta u kërkojnë parà, u kërkojnë favore seksuale, në këmbim të punës. Kanë kthyer dhe po glorifikojnë nocionin e partisë-shtet”, tha Ervin Salianji, koordinator për ndihmë ligjore.

Partia Demokratike përsëriti kërkesën për Prokurorinë  e Përgjithshme, e cila duhet të zbulojë, siç thotë opozita, mekanizmat e paligjshëm të punësimit, një veprim ky që, sipas demokratëve, do të nxisë edhe denoncime të tjera për ngjarje të ngjashme.

“Më të rëndë situatën e bën që këta oligarkë, pasi e kanë kryer veprimin, kërkojnë të stigmatizojnë dhe të fyejnë qytetaren, e cila pati kurajon që t’i denoncojë, ashtu si shumë qytetarë të tjerë, që për shkak të frikës dhe terrorit, nuk arrijnë ta bëjnë. Partia Demokratike kërkon drejtësi të shpejtë për këtë çështje dhe kërkon hetim të plotë në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste, të cilat janë kthyer në punishte të favoreve të oligarkëve në pushtet”, përfundoi Salianji.

***

Ministria e Brendshme njoftoi të shtunën e kaluar arrestimin e personit në fjalë në qytetin e Sarandes, pas denoncimit se ai kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.

Në website-n ‘investigim.al’ u bënë të ditura detaje të bisedës së personit të akuzar, njëherazi sekretar i deputetit socialist Koço Kokëdhima, me një grua nënë të katër fëmijëve, të cilës i kërkonte favore seksuale edhe për të bijën 14-vjeçare.

Gruaja e re kishte kërkuar ndihmë për t’u punësuar për shkak të varfërisë së madhe. Bashkëshorti i saj ishte aksidentuar gjatë punës në ndërtim dhe kishte humbur jetën.

Sipas investigimit, sekretari i deputetit socialist i tregonte hapur gruas synimet seksuale për vajzën e saj 14-vjeçare, nxënese në klasën e nëntë.

Sipas faqes së internetit, që zbardhte pjesë të bisedës së sekretarit të deputetit, ai i premtonte nënës përkujdesje të gjatë për vajzën 14 vjeçe edhe sepse mund të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Sarandës në votimet e ardhshme.

Vetë gruaja, shtetasja Elvira Gega, kërkon siguri për veten dhe fëmijët, pasi ka dyshime se persona që nuk i njeh janë duke u përpjekur t’i afrohen banesës së saj.

Top Channel