Korçë, përkujtohet vajza e flamurit

23/08/2014 00:00

Në ambjentet e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë është përkujtuar 82-vjetori i vdekjes së Marigo Posios, vajza që qëndisi flamurin e pavarësisë. Ajo ishte një nga të parat nxënëse të shkollës Mësenjtorja e Parë Shqipe.

Në aktivitetin e organizuar për këtë përvjetor u ekspozuan për herë të parë relikat e vetme të mbetura nga familja Posio dhe vet Marigoja.

“Marigo Posio është një figurë që ka shumë merita në historinë e Shqipërisë, Korçës, si dhe në konsolidimin e femrës shqiptare. Sot kemi ekspozuar relika të familjes Posio”, deklaroi Niko Kotherja, drejtor i Muzeut Kombëtar të Arsimit.

Për familjarët e Marigosë, kjo ekspozitë është një nder dhe respekt i veçantë për familjen dhe jo vetëm pasi pikërisht në këtë ndërtesë qëndistarja e flamurit ka marrë mësimet e para të gjuhës shqipe.

“Sot është 82-vjetori i vdekjes së saj dhe unë jam shumë e entuziazmuar sepse Marigoja përkujtohet në një ndërtesë ku ka qenë nxënëse. Ajo ka qenë nxënësja e 27 e regjistruar në regjistrin e kësaj shkolle. Është një risi për Korçën, sepse përkujtimet e mëparshme janë bërë në Vlorë. Margiosë i takonte të kujtohej edhe në këtë muze”, u shpreh Violeta Pojani, stërmbesa e Marigosë.

Në ekspozitën e zhvilluar në kuadër të 82-vjetorit të vdekjes së Marigo Pasios përveç miqve, familjarëve por edhe interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj ka qenë i lartë.

Top Channel