Pak javë përpara se të nisë viti i ri mësimor, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u ka kërkuar familjeve, por edhe të rinjve, t’u drejtohen arsimit profesional.

Gjatë vizitës që Veliaj zhvilloi në dy shkollat e mesme profesionale të Beratit, “Stiliano Bandilli” dhe “Kristo Isak”, ai tha se, jo vetëm nga të dhënat zyrtare të INSTAT, por edhe nga kërkesat e bizneseve pranë zyrave të punës, rezulton se tregu ka nevojë për të rinj me zanate.

“Ky është viti i parë që shkollat e arsimit profesional janë nën Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndaj dhe jemi shumë të lumtur që do të mirëpresim qindra dhe mijëra të rinj që, me zgjuarsi dhe inteligjencë, do të zgjedhin të studiojnë në arsimin profesional. Sot, të gjithë statistikat e INSTAT-it, e tregut të punës, të donatorëve të huaj, dëshmojnë që tregu ka nevojë për profesionistë, për njerëz që dinë të bëjnë gjëra me zanatin e tyre. Shumica e punëve të afishuara nëpër zyrat e punës kërkojnë njerëz të aftë për zanate, për hoteleri-turizëm, për ekonomi-financë, aftësi teknike. Kompanitë e huaja afrohen në Shqipëri vetëm kur të shohin mjeshtra të këtyre zanateve. Qytete si Berati kanë shumë të zhvillur kulinarinë, trashëgiminë kulturore, fusha që kanë sot mundësi për zhvillim”, u shpreh ministri Veliaj.

Në zyrat e punës rezulton se zanatet më të kërkuara janë hoteleri-turizmi, ekonomi-financë dhe njerëz që kanë aftësi teknike. Ministria e Mirëqenies Sociale, jo vetëm ka kërkuar që shumë të rinj t’u drejtohen këtyre shkollave, por ka premtuar se do të punohet më shumë për forcimin dhe përmirësimin e tyre.

Top Channel