Turistët e huaj dominojnë sezonin

24/08/2014 00:00

Në prag të mbylljes së sezonit turistik veror, Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se këtë vit tregu është dominuar nga turistë ndërkombëtarë ndërsa prurjet nga Kosova kanë pësuar ulje.

“Tregu kosovar ka një shfryrje krahasuar me një vit më parë, ata kanë preferuar më shumë Ulqinin, e kundërta ndodh me tregun ndërkombëtar, veçanërisht atë të europës juglindore që për shkak të marketingut të mirë kanë dominuar”, u shpreh Mehmeti, Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Harta e pushuesve është zgjeruar me më shumë turistë nga Polonia, Çekia apo Sllovakia, të cilët pëlqejnë të pushojnë në bregdetin shqiptar për bukuritë e rralla që ai ofron. Por sipas Shoqatës Shqiptare të Turizmit, sfidë e rëndësishme vazhdon të mbetet problematika në ofrimin e shërbimit për pushuesit.

“Tregu i Shqipërisë është një treg me burime të jashtëzakonshme të mosmenaxhuara mirë që ka nevojë për modele të sakta dhe që të japë shërbime që mungojnë realisht për efekt të mungesës së shkollave të turizmit, dijeve se si bëhet turizëm dhe për këtë ka një ndjesi në raport midis vlerës dhe shërbimit”, shtoi zoti Mehmeti.

Zoti Mehmeti shprehet se tregu shqiptar mbetet në klasë sa i përket shtrirjes së sezonit turistik, në një kohë që resurset nuk mungojnë që ai të jetë gjithëvjetor. Për këtë, Shoqata Shqiptare e Turizmit thotë se nevojitet një model i ri ndërsa marketingu nuk duhet të përqendrohet vetëm në muajt korrik dhe gusht.

Top Channel