Francë, dorëhiqet kryeministri Valls

25/08/2014 00:00

Kryeministri francez Manuel Valls i paraqiti Presidentit Francois Hollande dorëheqjen e tij, por vetëm pak çaste më vonë shefi i Elizesë deklaroi se i kishte kërkuar po Vallsit të krijojë një kabinet të ri “në përputhje me udhëzimet e dhëna prej atij vetë”.

Qeveria e re duhet të formohet brenda së martës. Ekzekutivi francez u trondit të dielën nga kritikat e ashpra të ministrit të Ekonomisë, Arnaud Montebourg, për masat e rrepta antikrizë, për të cilat tha se po e mbytnin rritjen eknomike të Francës.

Montebourg shtoi se ka ardhur koha t’i bëhet një rezistencë e drejtë dhe e shëndetshme “mahnisë së tepruar” të konservatorëve gjermanë për rreptësi buxhetore.

Valls kishte reaguar shumë shpejt pas këtyre komenteve, duke thënë se kishte shkelur “vijën e verdhë”, ndërkohë ministri edhe të shtunën pati deklaruar për gazetën “Le Monde” se Gjermania ka ngecur në qerthullin e një politike masash të egra antikrizë, të cilën po e imponon në të gjithë Europën.

Në mbështetje të Montebourg ka dalë edhe ministri i Arsimit, Benoit Hamon, e duket se gëzon edhe përkrahjen e ministres së Kulturës, Aurelie Filippetti. Hamon kërkoi një ditë më parë që t’i jepet fund drejtimit të Europes nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Nuk i shet dot gjë francezëve, nëse s’kanë të ardhurave të mjaftueshme”, u shpreh ai. Në fillim të këtij muaji, qeveria franceze e pranoi se parashikimi i mëhershëm i rritjes ekonomike të vendit, në nivelin 1%, ishte i pamundur të përmbushej. Në periudhën Prill-Qershor, edhe vet ekonomia gjermane u rrudh me 0,2%.

Top Channel