Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është vënë në lëvizje për të siguruar votat e deputetëve për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri dhe për formimin e qeverisë.

Pasi Gjykata Kushtetuese njoftoi javën e kaluar se zgjedhja e kryetarit të Parlamentit në seancën konstituitive ishte jokushtetuese, kryeministri në detyrë ka takuar të hënën deputetët e pakicave joserbe për të parë gatishmërinë e tyre.

Në takimin me deputetët e grupit parlamentar “6+”, ku bëjnë pjesë përfaqësues të pakicës turke, boshnjake dhe rome, Thaçi ka thënë se janë pajtuar që bashkarisht të punojnë në tejkalimin e ngërçit politik, ndërsa ka thënë se përkushtimi i tij ngelet për një qeveri me bazë sa më të gjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka bërë të ditur se bashkë me deputetët e pakicave kanë konkluduar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe duhet respektuar.

Pas takimit me deputetët e grupit “6+”, Thaçi ka takuar edhe deputetë të tjerë minoritarë, të cilët po ashtu janë shprehur të gatshëm të punojnë bashkë për formimin e institucioneve të reja.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda qeverisë se në të dyja takimet Thaçi ka marrë mbështetjen nga deputetët minoritarë të cilët po ashtu mësohet se kanë thënë se nuk dëshirojnë zgjedhje të reja parlamentare.

Aktivizimi i Thaçit për të zhvilluar bisedime me grupet e deputetëve ka mobilizuar bllokun paszgjedhor LDK-AAK-Nisma. Përfaqësuesit e Bllokut i kanë ftuar menjëherë pas Thaçi deputetët e grupit “6+” në një takim për të mësuar për ofertën që Thaçi u ka bërë atyre.

Deputetët minoritarë kanë treguar në kushte anonimati për Tch se ata u kanë thënë dy blloqeve politike se janë të hapur për bashkëpunim me këdo që ka shumicën e votave për formimin e institucioneve.

Top Channel