Durrës, mbytet fëmija 6-vjeçar

25/08/2014 00:00

Një fëmijë 6-vjeçar është mbytur këtë të hënë në një nga plazhet e Durrësit, teksa ishte me familjen për t’iu larguar sado pak orëve të vapës.

Sipas njoftimeve të autoriteteve lokale, ngjarja ka ndodhur në një plazh pranë zonës së Plepave, ku i mituri ka gjetur vdekjen pak momente pasi kishte hyrë në det.

Mësohet se 6-vjeçari ishte nga Kavaja dhe pjesëtar i komunitetit rom. Ai është nxjerrë nga deti në gjendje të rëndë nga pushuesit, por nuk ka mundur të mbijetojë.

Mungesa e rojeve të plazhit është një problem konkret për pushuesit që zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet.

Pavarësisht se në disa plazhe të vendit janë vendosur kullat prej nga vrojtohet vija bregdetare, në to ende mungojnë personat e trajnuar posaçërisht për këtë qëllim.

Top Channel