Mbytja e “Regina Margerita”

25/08/2014 00:00

Gati një shekull më parë anija flamurmbajtëse e Flotës Italiane, “Regina Margerita”, u përplas me minat detare në dalje të Gjirit të Vlorës.

Në një det të trazuar në mesnatën e dates 11 dhjetor 1916, me drita të fikura për të shmangur nëndetëset gjermane dhe austriake, kryqëzori italian u mbyt me shpejtësi duke marrë me vete 675 marinarë dhe oficerë të Flotës, mes tyre edhe admiralin De Orvin.

Kjo ishte një nga humbjet më të mëdha të Flotës Italiane në Luften e Parë Botërore. E ndërtuar si një anije ultra moderne nga konstruktori Benedeto Brini, ajo konsiderohej si një anije luftarake e pamposhtur. Por ajo hasi një terren ujor të minuar duke humbur përgjithnjë.

Ende sot nuk dihet se kush i vendosi minat në rrugën e kalimit të “Regina Margarita”. A ishte nëndetësja gjermane U-14, e cila pretendon se ka qenë aty atë natë fatale, apo ishte një gabim i komandantëve të anijes të cilët nga moti i ashpër u futen gabimisht në minat detare të vendosura nga vetë italianët?

Historia ende sot nuk ka një përgjigje përfundimtare se kush ishte përgjegjës në mbytjen e një prej krenarive të flotës italiane.

Për t’i dhënë një përgjigje këtyre pyetjeve, por edhe për të dokumentuar realitetin e “Regina Margerita” në kuadër të përkujtimoreve për Luftën e Parë Botërore, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, së bashku me Flotën Detare dhe ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes organizuan një zhytje në relitin historik.

Këto dhe filmimet e bëra në një thellësi mbi 80 metra do të jenë pjesë e një dokumentari që do të transmetohet në takimin e ardhshëm të UNESCO-s mbi Luftën e Parë Botërore, një ngjarje e madhe historike që preku edhe vendin tonë.

Top Channel