SHKB prangos efektivin e Velipojës

26/08/2014 00:00

Një oficer policie në qarkun e Shkodrës është arrestuar nga kolegët e tij pasi ka rezultuar se është përfshirë në një skandal seksual.

Në pranga ka rënë efektivi Ernest Ndue Paluku, me detyrë shef i stacionit të policisë në Velipojë.

Ministria e Brendshme njofton se arrestimi është bërë nga ana e SHKB-së sepse dyshohet se Paluku ka shpërdoruar detyrën duke kërkuar favore seksuale nga një shtetase që kishte shkuar në zyrën e tij për të bërë një denoncim.

Sipas një njoftimi për shtyp, dyshohet se oficeri i policisë ka shfrytëzuar detyrën e tij kur shtetasja e identifikuar me inicialet R.M ka shkuar për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti.

Nga hetimet e kryera rezulton se Paluku nuk e ka kryer detyrën sipas proçedurave standarde, por duke shfrytëzuar postin i ka kërkuar denoncueses favore seksuale, duke i premtuar në këmbim mbrojtje nga bashkëshorti i saj.

Një nga provat më të forta që ka SHKB dhe policia ndaj efektivit është një komunikim në Facebook, ku Paluku i kërkon hapur shtetases R.M marrëdhënie seksuale në këmbim të mbrojtjes nga i shoqi. Ai i ka kërkuar asaj të takohen në një hotel, por pas ofertës gruaja e re e ka paditur policin.

Arrestimi i efektivit të Velipojës vjen fare pak kohë nga arrestimi i përfaqësuesit të zyrës së deputetit të PS Koço Kokëdhima në Sarandë, për një akuzë analoge.

Top Channel